NBA: Lakers rikthehet te fitorja, Toronto triumfon ndaj Cavaliers

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Pas dy humbjeve radhazi, Los Angeles Lakers u rikthyen te fitorja, pasi mposhtën New Orleans Pelicans me rezultatin 112-104, në sfidën e zhvilluar në “Staples Center”.

Pas një fraksioni të parë tërësisht në baraspeshë 35-35, vendasit filluan të marrin terren në 3 pjesët e tjera të lojës, të cilat i fituan të gjitha ndonëse me diferencë të ngushtë.

Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Anthony Davis i Pelicans, me 30 pikë, 5 asiste dhe 20 rikuperime, ndërsa LeBron James shënoi vetëm 22 pikë, 14 asiste dhe 12 rikuperime.

Kanazedët e Toronto Raptors morën fitoren e dytë radhazi, teksa këtë herë mposhtën në “Scotiabank Arena” Cleveland Cavaliers me rezultatin 126-110.

Amerikani Kawhi Leonard ishte protagonist për kanadezët e Torontos, pasi u shpall më i miri i ndeshjes me 37 pikë të shënuara, 1 asist dhe 6 rikuperime, shifra këto që ndihmuan Toronton të arrijë një fitore bindëse.

Fitore bindëse regjistroi edhe San Antonio Spurs, që çoi në 3 radhazi numrin e sukseseve, pasi mposhti me rezultatin e thellë 124-98 skuadrën e Minnesota Tomberwolves.

Spurs dominuan në 3 nga 4 fraksionet e ndeshjes, ndërsa Forbes dhe Belinelli ishin protagonistët e skuadrës vendase me 39 pikë, 9 asiste dhe 10 topa të rikuperuar të dy së bashku.

Utah Jazz i prishi serinë prej 3 fitoresh radhazi Portland Blazers, pasi e mposhti në shtëpi me rezultatin e thellë 90-120, në një nga sfidat më të bukura të mbrëmjes.

Utah e nisi mjaft mirë takimin, duke fituar me 7 pikë diferencë fraksionin e parë, ndërsa vendasit e Portland reaguan vetëm në pjesën e dytë, për t’u dorëzuar më pas në gjysmën e dytë të ndeshjes.

Në “Golden 1 Center”, Sacramento Kings arriti të mposhtë Memphis Grizzlies me rezultatin e ngushtë 102-99, në një sfidë të cilën po e humbnin thellë deri në fund të fraksionit të tretë.

Miqtë arritën të shkëputen me 23 pikë diferencë pas dy pjesëve të para të ndeshjes, Kings reaguan fuqishëm duke fituar dy pjesët e mbetura dhe duke përmbysur rezultatin në favor të tyre.

Në sfidat e tjera, Chicago Bulls mposhti Orlando Magic me rezultatin 90-80, Indiana Pacers triumfoi ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 106-114 dhe New York Knicks u dorëzua ndaj Atlanta Hawks me rezultatin 107-114.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme