Totaj mbështet Gjinin, ia shpërndan statusin për abuzimin me paranë publike

Prishtinë | 23 Kor 2026 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, është pajtuar plotësisht me kryetarin e Gjakovës e njëherësh edhe i Aleancës, Ardian Gjinin, mbi një nismë të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), e cila synon forcimin e përgjegjësisë ligjore për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore.

Gjini në një postim të tij në Facebook tha se ndarja e parave publike disa ditë para zgjedhjeve nuk është politikë sociale, por se është manipulim i pastër për të blerë vota të qytetarëve me paratë e tyre.

“Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë”, tha Gjini.

Duke i thënë mbështetje nismës së IKD-së, Gjini tha se edhe pse në një demokraci normale respektimi i Kushtetutës dhe mosshfrytëzimi i parasë publike janë norma standarde, “abuzimi flagrant në vitet e fundit po na imponon “presionin” për rregullimin e tyre me ligj”.

“Duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata. Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj!”.

Me këtë deklaratë të Gjinit u pajtua Totaj, i cili shpërndau atë, duke shkruar: “Nuk mund të pajtohem më tepër!”.

Të ngjashme