Në Ditën Botërore të Turizmit, kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vizituar disa lokalitete turistike në komunë duke thënë se potencialin e harruar turistik të qytetit do t’ia kthej shumë shpejt.
Në mesin e zotimeve të tij për fuqizim të turizmit malor e kulturor, është edhe projekti i “10 fshatrave turistik”.
“Dje u shënua Dita Botërore e Turizmit por Prizreni i shumë potencialeve turistike nuk shënoi asgjë. Sepse në katër vite pati vetëm fjalë dhe asnjë punë. Dhjetëra projekte ambicioze turistike të shoqatave e njerëzve vullnetmirë nuk u përkrahën. Edhe ai potencial turistik që gëzon qyteti u la në harresë.
Njëri nga to është fshati Nashec, që dikur mbahej për njërën prej zonave më të vizituara. Bërllogu e papastërtia në Drinin e Bardhë po e shkatërrojnë bukurinë e zonës. Si Kryetar i ardhshëm do ta lansoj programin e “10 fshatrave turistik” dhe të tjera iniciativa të turizmit kulturor e malor. Me mbështetjen qytetarëve të Prizrenit, jam i bindur se do t’ia shumëfishojmë qytetit vizitorët. ” – u shpreh Totaj.