Tottenhami kërkon rikthimin e madh në Gjermani

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Pasi arriti edicionin e shkuar në finale të Ligës së Kampionëve, Tottenhamin këtë edicion e pret një mision i vështirë për të siguruar plasmanin në çerekfinale të kësaj gare. Tottenhami, të martën (sot) mbrëma luan në udhëtim ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales kundër RB Leipzigut, ekip që është në avantazh pas fitores 1:0 në Londër. Tottenhami po synon rikthimin e këtij rezultati dhe atë pa dy sulmuesit kryesorë – Harry Kane e Son Heung-min, që të dy të lënduar. Ekipi i drejtuar nga Jose Mourinho është në një seri prej pesë ndeshjeve pa fitore, e cila nisi pikërisht nga humbja me RB Leipzigun, kurse vikendin e shkuar barazoi me Burnleyn në kuadër të Premier Leagues.

Pavarësisht, kësaj situate, portieri i Tottenhamit, Hugo Lloris është optimist për ndeshjen e kthimit ndaj ekipit gjerman. Lloris ka sfiduar bashkëlojtarët e tij që ta tejkalojnë RB Leipzigun, duke u motivuar nga rezultatet e edicionit të shkuar në Champions. Ai thotë se Tottenhami duhet të motivohet nga kthimi i madh kundër Ajaxit në gjysmëfinale kur arriti të sigurojë finalen në ndeshjen e dytë, edhe pse ishte në disavantazh prej tre golave.

“Edhe pse ky tregim me Ajaxin i takon së shkuarës, ne duhet të motivohemi për të shkruar një kapitull të ri këtë edicion në Ligën e Kampionëve. Ne duhet të dalim në fushë, të luajmë një ndeshje perfekte dhe në fund ta fitojmë për të vazhduar rrugëtimin tutje në këtë garë”, ka thënë kapiteni Lloris. “Por, kundërshtari është shumë i fortë dhe nuk është çudi që po lufton për titullin e kampionit në Bundesligë. Megjithatë, ne jemi të gatshëm për ta treguar veten, pasi synimi është të jemi në mesin e tetë ekipeve më të mira të Evropës”.

Tottenhami zë vendin e tetë në Premier League me 41 pikë, shtatë më pak se pozita e katërt që e mban Chelsea dhe që edicionin e ardhshëm siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, RB Leipzigu është i treti në Bundesligë me 50 pikë të mbledhura, tri më pak se Bayern Muncheni që mban pozitën e parë.

Skuadrës së Tottenhamit në këtë ndeshje ka gjasa t’i mungojë edhe mesfushori Tanguy Ndombele, për shkak të lëndimit. Edhe RB Leipzigu në ndeshjen e fundit kampionale barazoi. Luajti pa gola kundër Wolfsburgut, por në këtë duel e pushoi sulmuesin kryesor Timo Wernerin. Werner 24-vjeçar, deri më tash ka shënuar 27 gola dhe ka asistuar 11 herë në 35 paraqitje për RB Leipzigun në të gjitha garat. Ishte pikërisht Werner ai që shënoi golin e fitores në ndeshjen e parë kundër Tottenhamit nga penalltia.

“Jam i bindur se zhgënjimin e barazimit me Wolfsburgun, do ta kompensojmë me kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kemi një avantazh të lehtë prej ndeshjes së parë me Tottenhamin dhe do të përpiqemi ta ruajmë deri në fund”, është shprehur trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann. “Tottenhami do të mbrohet sikurse në ndeshjen e parë dhe do të mundohet të shënojë ndonjë gol. Unë pres të krijojmë raste të mira dhe të kemi një paraqitje që na garanton kualifikimin tutje. Duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj kundërsulmeve të Tottenhamit, pasi janë shumë të rrezikshëm”.

Për dallim prej Tottenhami që po shpreson në rikthim të rezultatit dhe kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për skuadrën nga La Liga, Valencia. Valencia të martën (sot) mbrëma e pret në shtëpi skuadrën e Atalantas, e cila në ndeshjen e parë triumfoi me shifrat 4:1 dhe me një këmbë edhe në mesin e tetë skuadrave të mira të Championsit. Kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve nga frika e përhapjes së koronavirusit derisa janë anuluar edhe konferencat e trajnerëve të të dyja skuadrave.

“Kemi një rezultat të favorshëm prej ndeshjes së parë, por kjo nuk do të thotë se do të dalim në fushë për t’u mbrojtur. Atalanta luan një futboll ofensiv dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në ndeshjen e kthimit. Ne duam të vazhdojmë ëndrrën në Ligën e Kampionëve dhe kualifikimi në çerekfinale do të ishte diçka e jashtëzakonshme për një ekip që po debuton në këtë garë”, ka thënë ditë më parë trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme