Tottenhami raportohet se i ka identifikuar Elseid Hysajn dhe Alessandro Florenzin si dy lojtarët favoritë për t’i transferuar gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi që anglezët janë në kërkim të një mbrojtësi të krahut të djathtë.
Pozita e mbrojtësit anësor është prioritet në listën e Tottenhamit për transferimin e lojtarëve gjatë afatit kalimtar të verës, që në Angli mbyllet më 8 gusht. Londinezët duhen ta gjejnë një mbrojtës të krahut të djathtë, pasi ia shitën Kieran Trippierin Atletico Madridit.
Sipas gazetarit të famshëm sportiv të Sky Sports Italia, Gianluca di Marzio, Tottenhami së fundi ka shfaqur interesim edhe për Florenzin, i cili i ka bërë 262 paraqitje për Romën, që kur debutoi aty para shtatë vjetëve.
Mirëpo, së fundi ai ka vuajtur nga dy lëndime në gju. Përkundër kësaj, 28-vjeçari i ka shënuar dy gola në 32 paraqitjet e tij në Itali dhe Tottenhami mund t’i sigurojë shërbimet e tij për një shumë rreth 30 milionë eurosh.
Ndihmë e madhe bisedimet për transferimin e Florenzit mund të jetë fakti që dy klubet tashmë janë në negociata për marrëveshje rreth Toby Alderweireldit dhe Nicolo Zaniolo.
Por, nëse ky tentim i Tottenhamit dështon, atëherë Di Marzio raporton se londinezët do ta kërkojnë Hysajn.
Mbrojtësi shqiptar është i lirë të largohet nga Napoli për çmimin e duhur këtë verë dhe ai ka ngjallur interesim edhe te Juventusi dhe Manchester Unitedi.