I ardhur te Tottenhami për të konsoliduar një pozicion prestigjoz të londinezëve në kampionatin anglez dhe në Europë, Jose Mourinho ka përfunduar në qendër të kritikave të mediave britanike pas eliminimit të Spurs nga Dinamo e Zagrebit në Ligën e Europës.
Pavarësisht fitores 2-0 në ndeshjen e parë në Londër, Tottenham humbi me të njëjtin rezultat në Zagreb dhe pësoi një tjetër gol në shtesë, duke i dhënë lamtumirën Ligës së Europës, ndërsa në Angli i kanë modifikuar edhe nofkën “The Special One”, duke e quajtur tashmë “The Silent One”.
Eliminimi i bujshëm nga Liga e Europës mund të ketë qenë pika që ka mbushur gotën te Spurs, që edhe në kampionat kanë zbritur në vendin e ndonëse e nisën mjaft mirë sezonin, ndërsa mediat raportojnë se Mourinho mbështetet gjithmonë e më pak në dhomat e zhveshjes.
Tekniku portugez është njëri prej trajnerëve që mbron gjithmonë futbollistët e tij, por pas ndeshjes me kroatët drejtoi gishtin e akuzës ndaj tyre, duke thënë se nuk e kishin dëgjuar, si për të konfirmuar se një pjesë e mirë e senatorëve nuk po e ndjekin më.
Bosi i Tottenham, Daniel Levy po merr në konsideratë shkarkimin e trajnerit portugez, megjithatë kjo nuk do të jetë një sfidë aspak e lehtë, pasi kontrata e Mourinhos është e majme në shifra dhe skadon vetëm në verën e 2023-shit.
Ndërkohë në Londër mediat kanë nxjerrë edhe emrat e parë të trajnerëve që mund të ulen në pankinën e Tottenham në rast shkarkimi të Mourinhos dhe ata janë Brendan Rodgers që drejton Leicesterin dhe Julen Nagelsmann, që aktualisht është në stolin e Leipzig.