Sulmuesi i Fenerbahçes, Vedat Muriqi, është bërë person i kërkuar këtë sezon por klubet e interesuara mund ta kenë të vështirë të nënshkruajnë me të.
Muriqi, 25-vjeç, gjatë verës la Caykur Rizesportin për t’u transferuar te Fenerbahçe. Ai ka shënuar 17 gola dhe ka regjistruar tetë asistime sezonin e kaluar, raporton HITC.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka bërë një fillim të fuqishëm edhe këtë sezon, duke shënuar tri gola në 7 ndeshjet e Fenerbahçes.
Skuadra angleze Tottenham Hotspur e ka vëzhguar Muriqin në disa raste këtë sezon. Gazeta turke “Sabah” ka raportuar se muajin e kaluar ata e kanë vëzhguar atë edhe në paraqitjen e tij për Kombëtaren e Kosovës kundër Republikës Çeke, transmeton Koha.net.
Tani, gazeta tjetër turke “Aksam” raporton se Tottenhami do të vëzhgojë përsëri Muriqin sonte kur Kosova të luajë me Malin e Zi. Po ashtu, edhe Atletico Madridi dhe Lazio do ta vëzhgojnë atë.
Ndërsa Tottenhami planifikon ta vëzhgojë sonte Muriqin, ai duket se ka idetë e veta duke përfshirë moslargimin nga Fenerbahçe.
“Aksam” citon Muriqin të ketë thënë se dëshiron të qëndrojë edhe për dy vjet në Fenerbahçe, pasi ai duhet t’i zgjidhë problemet me lojën e tij para se të shkojë në ndonjë klub të madh evropian në vitin 2021 si një sulmues cilësor. Kjo lë të kuptohet se Tottenhami duhet të kërkojë ndonjë lojtar tjetër nëse nuk mund ta presin atë.
“Do të qëndroj të paktën edhe dy vjet në Fenerbahçe”, është shprehur Muriqi. “Ende kam mangësi. Dua të shkoj në Evropë si një sulmues me klasë”, shtoi ai.