T’i themi gjërat troç?
Vetëm akti i parë i tradhtisë u përket përmasave të tmerrit ekzistencial, sepse tradhtitë e tjera pastaj vijnë gjithnjë e më shpesh saqë të duken përherë e më të zakonshme. Pra, tani që Albin Kurti e kreu aktin e parë të tradhtisë ndaj vendit me marrëveshjen për energjetikë, kemi për të parë gjithnjë e më shpesh marrëveshje në funksion të krijimit të autonomisë serbe në Kosovë.
Rreth para një jave, një prej njerëzve më të pandershëm në kontinentin tonë sa i përket aftësisë për të gënjyer ndër sy dhe shërbyer shefit pa asnjë princip, Besnik Bislimi, paralajmëroi se marrëveshja me Serbinë për energjetikë ishte shumë afër.
Si fillim, kjo tregoi se Kurti e Bislimi kishin zhvilluar biseda të fshehta, me thika, mbi sistemin energjetik të Kosovës, me Vuçiçin e Petkoviçin.
Lidhur me këtë marrëveshje, e cila, me siguri nuk është lidhur brenda një nate, ata nuk kanë dhënë llogari as para opinionit publik, as para Kuvendit të Kosovës.
Tufa e mashtruesve të pacipë të VV-së, që kanë çuar njerëz në varr e nëpër burgje me idenë e demokracisë së drejtpërdrejtë, ia punuan prapa shpine një Kosove, duke e vendosur para aktit të kryer me marrëveshjen për energjetikë.
Për më shumë, ata bënë një gabim të tmerrshëm strategjik, duke e rikthyer dialogun nga faza përfundimtare për njohje të ndërsjellët, në biseda teknike, siç është rasti për targat dhe energjetikën. Emëruesi i përbashkët i këtyre dy marrëveshjeve është trajtimi i privilegjuar i Veriut të Kosovës nga pjesa tjetër e Republikës së Kosovës.
Pra, me çdo standard të VV-së, aktivistët e të cilës deri dje i kanë thyer dhëmbët nëpër rrugë gjoja se për çlirim të Kosovës e sot janë shndërruar në nëpunës të nënshtruar për një rrogë mujore duke arsyetuar çdo vendim kundër vendit të tyre, nga sot e tutje, Besnik Bislimi dhe Albin Kurti janë tradhtarë të kombit shqiptar.
Ata kanë tradhtuar popullin, i cili u dha mbi 50% të votave, duke ia thyer premtimin se do t’i rivlerësojnë marrëveshjet e Brukselit nga dialogu i dëmshëm.
Sot, ndërkaq, për një grusht pushtet, me një mburravecëri të paparë, ata zgërdhihen teksa e shesin marrëveshjen për energjetikë si sukses madhor të qeverisë së tyre.
Po, pikërisht të njëjtën marrëveshje nga ana përmbajtësore, të cilën Albin Kurti e quante që e gjymton shtetësinë, dëmton ekonominë dhe dezintegron energjetikën e Kosovës.
Asgjë nuk ka ndryshuar sot, vetëm fakti që Albin Kurtit i është përmbushur epshi i papërmbajtshëm për pushtet dhe po i pëlqen hajnia pa skaj, në bashkëpunim me Xhelal Sveçlen, Haki Abazin (këtë hajdut të përmasave botërore), Liburn Aliun, Hysen Durmishin, mes shumë të tjerëve.
Është pikërisht kjo bandë kriminale, që ka manipuluar veçanërisht të rinjtë e Kosovës me fushata: bojkotoni produktet e Serbisë, rezoluta kundër importit të prodhimeve serbe, vendosje të reciprocitetit me Serbinë, që sot nuk e përmend fare faktin se ka thyer çdo rekord sa i përket vëllimit tregtar dhe ekonomik me Serbinë.
Sot, pas kësaj marrëveshjeje, unë as nuk mund ta përfytyroj sesi një aktivist i ndershëm i VV-së me ideale të shëndosha (nëse ka mbetur ndonjë i tillë) ndihet, pasi shefi i tij ka nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës kompania shtetërore serbe, JP Elektroprivreda Srbij Beograd, e udhëhequr nga mafiozi çetnik Milorad Grçiç, nëpërmjet Elektrosever, përfaqësuar nga një prej kuadrove më të vyer kriminal të strukturave paralele, Boban Novakoviç, do të bëhet hisedare në sistemin energjetik të Kosovës.
Kjo është politikisht ndarje e sovranitetit dhe funksionalisht ndarje e sistemit energjetik me Serbinë.
Ata, që kanë një grimcë moral, duhet të largohen menjëherë, të tjerët normalisht do të vazhdojnë duke i thurur lavde e elozhe, i cili me recitale patriotike i futi nën sqetull të Aleksandër Vuçiçit e Milorad Grçiçit.
Mafiozi Martin Berishaj, i cili ka një përvojë të madhe ndërmjetësimesh në marrëveshjet mes Albin Kurtit e pinjollëve të Rankoviçit e Stanishiçit në sektorin e energjisë, duhet të ketë edhe informacion të holluar për këtë çështje.
Prandaj, ai duhet thirrur urgjentisht nga Prokuroria, si pjesë e një hetimi kriminal lidhur me motivet dhe interesat që kanë shtyrë Qeverinë për ta ndarë sistemin energjetik të Kosovës si me thikë.
Nga ana tjetër, njeriu, i cili deri dje refuzoi Ballkanin e Hapur me idenë se Serbia nuk e njeh Kosovën, sot ia fali Serbisë një pjesë vitale të energjetikës me një marrëveshje, ku nuk përmendet fare fjala “Republikë” kur bëhet fjalë për Kosovën.
Kjo, megjithatë, nuk është më e keqja.
Kushdo që bën lexim teknik të kësaj marrëveshjeje, nuk e ka kuptuar thelbin e gjësë. Pak a shumë, lajmi më i rëndësishëm është se Albini, sikurse ka thyer çdo besë të dhënë deri më sot, ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Serbinë nga fillimi i dialogut e këndej.
Kjo i bie që marrëveshja për energjetikë është vetëm përgatitje e terrenit për zbatim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në një të ardhme shumë të afërt. Kjo, edhe më tutje, i bie se ai ka filluar ndarjen e resurseve me Serbinë për t’i vënë nën ombrellën e autonomisë së Serbisë nëpërmjet Asociacionit.
Kjo do të jetë pjella më e shëmtuar e kumarisë së tij me Aleksandër Vuçiç, me të cilin shahen në media kohë pas kohe për t’iu hedhur hi syve njerëzve të këtij vendi, e ndajnë resurset e sistemit të energjisë së Kosovës me marrëveshje gjentëllmenësh.
Sa për të përmbushur zellin e tij sadist, ai ua hedh shqiptarëve para syve një deputete të papjekur, mendjelehtë e që s’merr gjë vesh nga puna e saj, Jeta Statovci, për ta përshëndetur përzemërsisht arritjen e marrëveshjes për autonominë energjetike të Serbisë në Kosovë.
Kjo tregon se deri në ç’shkallë ka arritur degradimi politik në Kosovë, kur marrëveshja e ndarjes së energjetikës së vendit, duhet të arsyetohet nga një kurrkush-hiçe.
Pjesa tjetër, ndërkaq, është punë e njohur.
Lumiri, kur vjen puna te çështjet e mëdha me Serbinë, zakonisht e mbyll gojën, sepse e di shumë më mirë se me çfarë punë merret një pjesë e familjes së tij.
Ndërkohë, Memli Krasniqi nuk u ndje i gjallë, për shkak të shumë kusureve të tij që ia ka zbuluar Faton Peci e Albin Kurti, edhe për shkak të përcaktimit të tij të prerë për ta tjetërsuar PDK-në në një klub të përdalë gastronomësh.
Si ka mundësi, Partia Demokratike e Kosovës, pasardhësja e UÇK-së, të shitet deri në këtë ditë e të tmerrohet deri në palcë nga një Albin Kurt, i cili ua ndau sistemin energjetik të Kosovës ndër sy?
Këto janë pasoja kur braktisen idealet dhe partia, në emër të qytetarisë, u besohet pijanecëve, narkomanëve dhe tenderomanëve profesionistë.
Sot ka filluar praktikisht hyrja e kompanive shtetërore të Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës.
Hapi i radhës është formalizimi i autonomisë së serbëve – kush e di me çfarë emërimi të gjetur nga Petkoviç dhe bashkëpunëtori i tij në Kosovë, Bislim Bislimi – në Republikën e Kosovës.
Kjo pra nuk është veç tradhti, sepse nuk është një akt. S’janë as veç bashkëpunëtorë të Serbisë, sepse bashkëpunimi është një proces me ndërmarrje të përbashkët të të dy palëve. Kjo ftesë e një pjese të Serbisë në territorin e Kosovës është tëhuajsim i krejtësishëm.
Kjo është të mos ekzistosh si palë fare dhe dorëzim total i vetes.
Shënim: Kështu do të shkruante sot Albin Kurti nëse kryeministri s’do ishte ai. (Albanianpost)