Dy shqiptarë janë arrestuar mëngjesin e sotëm në Itali, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë mes Shqipërisë e Italisë, kryesisht në territorin e provincave të Emilia Romanjës, Abruzzo, Calabria e Messina.
Operacioni i policisë italiane, i koduar “Sifizo”, çoi në pranga nëntë persona, 7 italianë dhe dy shqiptarë.
Ky grup trafikantësh e kishte bazën në Messina e drejtohej nga një familje siciliane, babai me dy djemtë me inicialet M.A, M.M.A, dhe M.F.

Hetimet kanë zbardhur se ky grup kriminal furnizohej me marijuanë nga trafikantë shqiptarë e italianë nga Abruzzo e më pas me anë të korrierëve të besuar e transportonin drejt Siçilisë.
Gjatë hetimeve Policia italiane ka mundur të sekuestrojë disa ngarkesa droge me sasi 55 kg marijuanë secila e ka vënë në pranga dy korrierë R.G, B.M të cilët me automjetet e tyre transportonin lëndën narkotike.
Droga pasi mbërrinte në Messina, shpërndahej tek korrierët e vegjël lokalë. Gjatë oepracionit “Sfizio”, autoritetet italiane kanë kryer kontrolle banesash e personash në të gjithë Italinë.
9 personat e arrestuar akuzohen për trafik droge e organizim kriminal me aktivitet trafik lëndësh narkotike.