Punonjësit e sigurisë të burgut të Lezhës, kanë mbetur të befasuar, kur në këmbët e një pëllumbi që kishte ngecur në dritaren e qelisë së një të dënuari për vrasje, gjetën të lidhur një sasi droge.
Ishte data 16 gusht, ora shënonte 15:39 minuta, kur forcat e policisë kapën pëllumbin korrier droge. Oficerët kuptuan se pavarësisht përpjekjeve të tyre për të garantuar rend dhe siguri në këto institucione, ishin sfiduar nga të dënuarit.
Personat në konflikt me ligjin, kishin mundur që përmes kësaj mënyre të re, të padëgjuar më parë, të shmangnin kontrollet e rrepta të sigurisë dhe të siguronin drogë e celularë ne ambientet e vuajtjes së dënimit.
Rasti i shënuar në burgun e Lezhës më shumë se një muaj më parë, nuk ishte i vetmi
Më herët, konkretisht në 17 maj 2016, ora 16:00 në ambientet e jashtme të burgut të Lushnjës, forcat e sigurisë, kishin pikasur një tjetër pëllumb në këmbët e të cilit ishin lidhur dy celulare. Shpendi nuk arriti të shkonte tek i zoti, pasi nga pesha e celularëve, kishte rënë përtokë.
Dy pëllumbat e kapur, i janë dorëzuar tashmë policisë në cilësinë e provës materiale dhe ndaj të dënuarve që tentuan të fusnin drogën dhe celularët në qeli, është hapur hetim nga prokuroria.
Të ndodhur përpara një situate të tillë, Drejtori i Policisë së Burgjeve, Petrit Koshaj, urdhëroi punonjësit e sigurisë, të largonin pëllumbat, nga ambientet e vuajtjes së dënimit, ndonëse të dënuarit kundërshtuan, pasi në këtë mënyrë vrisnin kohën. Çështja u zgjidh sa hap e mbyll sytë. Në marrëveshje me të dënuarit dhe familjarët e tyre, pëllumbat u thanë lamtumirë qelive.
Pyetja që shtrohet është: Përse të dënuarit përdorën shpendët për të futur drogë e celular në qeli? A është vërtetë e pamundur të përdoren rrugët tradicionale nga ana e tyre, për të patur gjithçka duan përtej hekurave?
Frika e dënimeve të rënda për familjarët e tyre, sikurse parashikohet me ndryshimet e fundit ligjore, i ka detyruar të dënuarit dhe të paraburgosurit të gjejnë alternativa të reja. Specialisti i sigurisë Gëzim Ramaj, i cili mban gradën drejtues, shpjegon se kjo mënyrë e re u përdor nga të dënuarit, për shkak se kohët e fundit u forcuan ndjeshëm masat e sigurisë.
Si përdoreshin pëllumbat korrierë
Specialistët Genci Fejzollari dhe Gëzim Ramaj, rrëfyen për “News24” dhe “BalkanWeb” mënyrën, sesi pëllumbat nxirreshin nga godinat e burgjeve dhe riktheheshin sërish, të ngarkuar me drogë apo celulare. Specialisti Ramaj tregon se pëllumbat rriteshin nga të dënuarit.
Në momentin që familjarët vinin për të takuar të afërmit e tyre, këta të fundit, u jepnin valium pëllumbave, duke i vënë në gjumë.
Shpendët mbështilleshin me rroba dhe nxirreshin me çanta përjashta. Në këtë mënyrë pëllumbat dilnin në liri. Të afërmit e personave në konflikt me ligjin, i ushqenin shpendët dhe të nesërmen i ngarkonin me drogë, apo celular dhe i lëshonin. Ata ktheheshin sërish në qeli. Ndonëse linja e re e transportit të drogës dhe celularëve në burgje është zbuluar, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, është i paqartë numri i rasteve, kur shpendët u kanë çuar drogë të dënuarve dhe nëse u kanë çuar vetëm hashash, sikurse u kap herën e fundit, apo edhe droga të forta.
Edhe macet korrierë
Çuditë në burgje në fakt nuk kanë të sosur. Të dënuarit nuk kanë përdorur vetëm shpendët për të siguruar dozat e drogës, por edhe kafshët. Specialisti Ramaj, rrëfen se kohë më parë në burgun 325 në “Ali Demi”, u kap një mace, e cila ishte ngarkuar me celular. Ai shpjegon me gjestikulacione, se maces i ishte vënë telefoni poshtë barkut dhe ishte mbështjellë me natriban. Oficerët e sigurisë e kuptuan se diçka nuk shkonte, pasi macja nga pesha që po transportonte telefonat mezi ecte. E kapën kafshën në rrjetën e telave të burgut.
…nuk mungojnë as dronët
Është e përbotshme, që të dënuarit janë gjithmonë një hap përpara të forcave të sigurisë. Këta të fundit e pranojnë se janë në një luftë të vazhdueshme, për të garantuar rendin dhe sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Rasti më problematik i shënuar kohët e fundit, është ai i paraburgimit të Vlorës, ku u tentua të futej drogë dhe celular përmes dronit.
Në një shkresë të siguruar nga News24 e BalkanWeb, që u dërgohej drejtuesve të burgjeve, u kërkohej që të vlerësonin edhe ketë mënyrë të futjes së sendeve të ndaluara në qeli. “Nga disa informacione të marra në rrugë të ndryshme, tentohet të futet për të burgosurit aparate celulari, apo sende të ndaluara nëpërmjet përdorimit të dronit.
Vlerësoni edhe këtë mënyrë apo tentativë për futje të sendeve të ndaluara duke marrë masa për forcimin e shërbimit. Instruktoni efektivët për vëzhgimin e hapësirës ajrore mbi institucionet tuaja dhe mënyrat e përdorimit të droneve.
Jepni detyrat konkrete për të gjithë trupën e shërbimit si dhe në mënyrë të veçantë specialistit të informacionit dhe atyre të regjimeve të jashtme për dhënien e porosive dhe ndjekjen e situatës me qëllim parandalimin e tentativave të mësipërme”.
Në rastin e paraburgimit të Vlorë, burgjet sinjalizuan policinë, e cila ndërhyri duke bërë të mundur bllokimin e dronit.
Të arrish të fusësh në dhomat e të dënuarve sende të ndaluara, duket se çdo ditë e me shumë po bëhet një mision i pamundur. Sipas rregullores së burgjeve, të dënuarit dhe të paraburgosurit kanë të drejtën e katër takimeve në muaj.
Ndaj familjarët e tyre, mbërrijnë në dyert e burgjeve, që në orët e para të mëngjesit. Pasi bëjnë regjistrimin, kalojnë procedurën e kontrollit të ushqimeve, që është mjaft rigoroze. Çantat me rroba dhe ushqime grumbullohen në një cep dhe pasi secili familjar kalon procedurën e kontrollit fizik kthehet t’i marrë dhe të shkojë në dhomën e takimeve.
Pavarësisht kontrolleve, oficeret e sigurisë shpesh përballen me situate të çuditshme dhe të paimagjinueshme. Në burgje, nuk futen vetëm drogë e celulare, por zjehet edhe raki. Shqetësim për Drejtorinë e Burgjeve janë femrat. I bezdisur disi specialisti Rama sqaron se ato e fshehin drogën në pjesë intime dhe shpesh janë detyruar t’i zhveshin dhe policet femra të bëjnë kontrollin e tyre intim.
Siguria në burgje, për shkak të specifikës që mbartin këto institucione është prioritet për Drejtorinë e Përgjithshme. Plani i masave të sigurisë, i hartuar së fundmi, është i detajuar dhe duket se po jep efektet e para. Megjithatë, nën zë dhe jashtë objektivit të kamerave oficerët e sigurisë së burgjeve, thonë se të dënuarit shpeshherë janë “një hap përpara nesh”. E ndërsa përditë forcat e sigurisë, punojnë për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në burgje, janë të sigurt se sërish do të përballet me rrengun e radhës nga të dënuarit. /Balkanweb/