Policia shqiptare ka goditur dy grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike nga SHBA-ja dhe nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet postës, duke vënë në pranga 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Policia ka sekuestrohen 4 kilogramë cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Elbasan, si edhe një sasi kokaine që u gjet në banesën e njërit prej këtyre shtetasve.
“Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale”.
Ndërsa në operacionin e koduar “Destinacioni 2” u godit një tjetër grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar.
“Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. L., 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 18 vjeç dhe E. L., 18 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale”.
Operacionet e Policisë u kryen nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH, Drejtorinë e Hetimit Doganor, Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)