Trafikonte ukrainas dhe i detyronte të shpërndanin drogë në Vlorë, arrestohet 24-vjeçari

Prishtinë | 15 Dhj 2024 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të operacionit “Transnacional”, që të premten çoi në goditjen e një rrjeti që trafikonte persona të rritur nga Ukraina, duke i privuar nga dokumentet e udhëtimit dhe detyruar të kryejnë aktivitete të kundërligjshme, policia e qytetit bregdetar ka vënë dy ditë më pas në pranga një 24-vjeçar në Vlorë.

“Është finalizuar me sukses një tjetër fazë e operacionit policor “TRANSNACIONAL”, i cili ka për qëllim goditjen e një rrjeti që trafikojnë qenie njerëzore dhe i shfrytëzojnë ato për veprimtari të paligjshme. Operacioni ka vijuar me kapjen dhe ndalimin e një tjetër shtetasi të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur kapja dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit të huaj O. K., 24 vjeç, banues në qytetin Sumskaja, Ukrainë”, njofton policia.

Sipas uniformave blu rezulton se i riu ukrainas në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, të arrestuar më herët, ka trafikuar shtetas nga vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, drejt Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin e tyre për punë të kundërligjshme.

Kujtojmë se dy ditë më parë u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” 4 shtetas të huaj. Autoritetet po ashtu shoqëruan 19 shtetas ukrainas, të moshës 18-26 vjeç, të cilët ishin viktima të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan laptopë, pasaporta udhëtimi, karta ID dhe aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë. 

Të ngjashme