Tragjedi në kanalin e Sicilisë, 31 të vdekur

Prishtinë | 24 Maj 2017 | 20:42 | Nga

Të paktën tridhjetë e një persona kanë gjetur vdekjen nga mbytja në det, midis të cilëve dhe shumë fëmijë. Është ky bilanci tragjik i radhës i raportuar nga gazeta italiane “La Repubblica” se ka ndodhur ditën e sotme.

Viktimat së bashku me qindra të tjerë, të cilëve është bërë e mundur tu shpëtohet jeta, kanë qenë refugjatë që udhëtonin të hipur mbi një barkë të tejmbushur, në det të hapur në ujërat e Mesdheut qendror, në afërsi të portit libian Zuara.

Varka me të cilën ata udhëtonin u përmbys për arsye të valëzimit, apo të ndonjë defekti dhe të 500 personat që udhëtonin me të e panë veten mbi ujin e ftohtë të Mesdheut.

Komandanti i Rojës Bregdetare italiane, Cosimo Nicastro, duke folur për Reuters ka thënë se “më së paku 20 persona të vdekur janë zbuluar në ujë”, ndërkohë që janë operatorët e OJF-së MOA-s që bëjnë me dije se të vdekur janë 31 refugjatë, pjesa më e madhe fëmijë. Janë gjetur të mbytur dhjetëra fëmijë. Nuk rezultojnë të tjerë të humbur, ka artikuluar zyrtarisht burimi i shpëtimtarëve të MOA-s.

Chris Catrambone,themeluesi i OJF-së Moas (Migrant Offshore Aid Station), ka postuar në rrjetin Twitter foto të refugjatëve të mbytur në det të shkrepur gjatë operacionit të shpëtimit të tyre, të shoqëruar me mesazhin: ”Nuk është skena e një filmi horror por një tragjedi e jetës reale, që ka ndodhur sot në portat e Evropës”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme