Tragjedia e Gjenovës në Itali, ku shembja e urës Morandi shkaktoi 39 viktima, mes të cilave edhe dy shqiptarë, shërbeu si kambanë alarmi për gjendjen e urave në gjithë Evropën.
Ndërkohë që shumë shtete madje kanë nisur menjëherë kontrollet dhe marrjen e masave, shkruan sot Koha Ditore.
Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri , Mithat Tola, bëri me dije, të premten, se javën në mbyllje të muajit gusht dhe ato në vijim, Shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, nisur nga ngjarja tragjike, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura, si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë.
“Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementeve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke ‘prodhuar’ më shumë siguri rrugore”, tha ai në një deklaratë për media.
Ura mbi Drinin e Zi në hyrje të Kukësit, që lidh verilindjen dhe Kosovën me pjesën tjetër të Shqipërisë , është një prej veprave të artit infrastrukturor që po bëhet gjithmonë e më e rrezikshme për shkak të amortizimit. Hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar, ndërsa çernierat të cilat shërbejnë për eliminimin e tronditjeve dhe lidhjen e trarëve janë dëmtuar plotësisht. Mungesa e kushteve të sigurisë për kalimin e këmbësorëve dhe të automjeteve tregojnë se mirëmbajtja e urës prej kohësh mungon.