Prokuroria Publike Themelore ka njoftuar se pesë prokurorë janë angazhuar dhe janë në terren ku po kryejnë ekspertizë për të vërtetuar shkaqet që sollën deri te djegia e spitalit modular Covid në Tetovë.
“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular COVID në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar se zyrtarisht ka 10 viktima nga tragjedia në Tetovë, por që numri i viktimave mund të rritet.
“Në Tetovë ka ndodhur një fatkeqësi që ka marrë shumë jetë. Për momentin janë konfirmuar dhjetë të vdekur nga zjarri, por numri mund të rritet”, ka shkruar Filipçe në Twitter.
“Kjo është një ditë shumë e trishtuar, i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve”.