Trajkoviq pohon se Ivanoviq e kishte njoftuar BIA-an e Vuçiqin nga i kërcënohej rreziku

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 09:55 | Nga

Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve për Kosovën, Rada Trajkoviq ka deklaruar se lideri i Iniciativës Qytetare LDD (GI SDP), Oliver Ivanoviq, kishte njoftuar BIA-n (shërbimi informativ i Serbisë ) se nga cilët persona i kërcënohej rreziku, transmeton Koha.net shkrimin e gazetës “Danas” të Beogradit.

Siupas saj, Ivanoviq shqetësimin e tij ia kishte përcjellë edhe presidentit ë Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Danasit” të sotshëm ajo i ka thënë se Ivanoviq dy-tri ditë para se të vritej kishte “vizituar të gjitha institucionet në Beograd dhe me këtë rast kishte njoftuar BIA-n, Vuçiqin dhe komunitetin ndërkombëtar për dyshimet që kishte.

?Ne sot nuk kemi asnjë prononcim, ta zëmë, të presidentit të Serbisë, i cili ka pasur informacion nga drejtori i BIA-s (Bratisllav) Gashiqit dhe nga shërbimet e tij se cilët ishin ata persona të cilët i kishte përmendur Ivanoviq”, transmeton Koha.net. “Nga ana tjetër, tregimi për gëzhojat, të cilat janë të rëndësishme për shkak të gjurmëve të gishtave gjatë ekspertizës dhe hetimit, flet për mungesë të seriozitetit të hetimit nga aspekti i vullnetit dhe përkushtimit që me të vërtetë të gjenden ata që janë të përzier në krim”, ka thënë Trajkoviq.

Ajo po ashtu është shprehur se nga pushtetet në Beograd e Prishtinë nuk pret të “dalin” me emrat e vrasësve dhe nuk beson se do të bëhen të ditur emrat e atyre që janë të implikuar në vrasjen e Ivanoviqit deri sa të jenë në pushtet strukturat pushtetare e të dy palëve, pos nëse është i pranishëm edhe faktori ndërkombëtar, “gjë që varet nga interesimi i tij që të shantazhojë njërën e palën tjetër”.

“Autoritetet në Beograd mbajnë në pushtet Thaçin (Hashimin) dhe Haradinajn (Ramushin). I ndërlidhin bizneset e ndryshme – projektet legale e ilegale, prandaj do të investojnë më shumë përpjekje për të ruajtur njëri tjetrin. Në mes të tyre ndodhet edhe mafia e cila në veri (të Kosovës – sqarim ynë) ka krijuar atë ambient dhe ka rrezikuar në vazhdimësi Ivanoviqin përmes keqtrajtimit fizik të familjes së tij, djegies së veturës, kërcënimit dhe një varg gjerash për të cilat fliste Oliveri”, ka thënë Trajkoviq, transmeton Koha.net.

Ajo ka shtuar se shqiptarët nuk kanë shumë të dhëna rreth asaj çfarë ndodhë në veri të Kosovës, meqë strukturat e vendosura atje janë kryesisht serbe dhe “ato raportet i përcjellin në Beograd”.

Ivanovi është vrarë më 16 janar para selisë së Partisë “Liri, Demokraci, Drejtësi” (LDD) në Mitrovicën veriore. Dy policë qenë arrestuar për manipulim të fakteve nga vendi i ngjarjes, por gjykata nuk ka pasur bazë për t’iu caktuar paraburgim 30 ditësh dhe ata janë lënë të lirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme