“Serbët nga veriu i Kosovës kanë qenë gjithmonë të lidhur me shërbimet e sigurisë nga Beogradi, të cilat gjetën mënyra për t’i kontrolluar ata dhe tani atyre iu është bashkuar edhe mafia”.
Kështu ka thënë për mediat serbe, Rada Trajkoviq, sipas së cilës serbët në jug të Ibrit gjithmonë kanë qenë të lidhur me Kishën e cila i ndihmoi të mbijetojnë.
Po sipas medieve serbe, përcjell Telegrafi, Rada Trajkoviq, presidente e Lëvizjes Evropiane të serbëve mendon se veriu i Kosovës tani kontrollohet nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili, sipas saj, “njihet si një person i përfshirë në qarqet kriminale”.
“Ju mund të shihni se nuk kishte protesta kur u vendos që të përfshihet veriu i Kosovës në sistemin energjetik, protesta siç kishte kur disa kompetenca të tjera të shtetit të Serbisë u shfuqizuan në veri. Mund të shihet se gjithçka është nën kontroll, pasi Vuçiq u pajtua me Gjermaninë”, ka thënë ajo.
Ndër tjerash, Trajkoviq ka thënë se problemi i Serbisë është se ajo nuk e di se çfarë dëshiron në Kosovë.