Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, shpreson se Lionel Messi do të bëjë paraqitje të njëjtë me ato që i bën çdo të diel me Barcelonën, pasi që kjo do t’i ndihmojë Kombëtares së tij të triumfojë në Kupën e Amerikës që zhvillohet këtë verë.
Argjentina do të përballen me Nicaraguan të premten në një ndeshje miqësore para se të fillojnë turneun e Kupës së Amerikës, më 15 qershor, me ndeshjen kundër Kolumbisë.
Messi është ende në kërkim të trofeut të tij të parë me Argjentinën dhe paraqitjet e tij për ekipin kombëtar janë kritikuar shpeshherë.
Mirëpo, Scaloni beson se Kombëtarja e Argjentinës mund të jetë po aq e suksesshme sa cilado skuadër tjetër nëse Messi arrin të performojë ashtu siç bën për Barcelonën vazhdimisht.
“Nëse ne performojmë mirë si skuadër dhe, si shtesë, Messi bën atë që bën çdo të diel, sigurisht do të kemi sukses. Ne e dimë se jemi plot dinamit në fazën e sulmit, kështu që nëse do të arrijmë ta mbajmë kontrollin, atëherë do të kemi raste për të fituar”, ka thënë Scaloni.
“Këta lojtarë kanë lindur për të fituar, për të garuar në këto nivele të larta, t’i bësh ata ta kuptojnë se çfarë do të thotë të luash me këtë fanellë është gjëja më e lehtë në botë. Të gjithë janë mësuar me këtë”.