Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, nuk pajtohet me Gerard Pique dhe beson se Real Madridi do të lëshojë pikë në La Liga.
Ekipi i Setien u ndal 0-0 nga Sevilla të premten mbrëma, duke i dhënë shansin Real Madridit që t’i bashkohet atyre në krye me 65 pikë, nëse fitojnë në udhëtim te Real Sociedad.
Pique tha pas takimit se vështirë që Reali do të humbasë pikë në ndeshjet e mbetura dhe se Barça është inferiore ndaj ekipit të Zinedine Zidane, për diçka që nuk pajtohet Setien.
“Ka qenë thjesht zhgënjim i momentit, sidomos sepse ne kemi luajtur mirë në pjesën e parë. Ndoshta Pique nuk është ndjerë mirë, por jam i sigurt që do të ndryshojë mendim një ditë më pas. Unë nuk mendoj se Real Madrid do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura. Tani nuk varet më nga ne, por kjo gjë mund të ndryshojë. E dinim që më parë se do të ishte shumë e vështirë ta fitonim çdo ndeshje. Praktikisht është e pamundur. Normalisht nuk kënaqem me një pikë që morëm“, u shpreh ai.
“Mendoj se do të jetë e vështirë ta fitojmë kampionatin. Do bëjmë gjithçka mundemi, por nuk mendoj se Reali do të lërë shumë pikë. Nuk është më në dorën tonë dhe do të jetë e vështirë që Reali të lërë pikë“.
“Nga sa kemi parë në dy ndeshjet e fundit, do të jetë e vështirë. Kishim më shumë shanse për gol dhe kontroll të topit. I krijuam rastet, por nuk shënuam. Sevilla është në vendin e tretë dhe janë një ekip i nivelit të tillë. Barazimi na lë në një pozitë ku titulli nuk varet më nga ne“.
Me barazimin ndaj Sevillas në Ramon Sanchez Pizjuan, Barcelona e thelloi në 3 pikë avantazhin ndaj Real Madridit, por në rast të Los Blancos të dielën në mbrëmje në udhëtim në San Sebastian ndaj Real Sociedad do të marrin kreun e La Ligas pasi ndaj Barçës kanë avantazhin e ndeshjeve direkte.