Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka thënë se penalltia ishte mënyra e vetme për Juventusin të shënonte gol kundër ekipit të tij në barazimin 1:1 të dielën në Serie A.
Interi e kishte epërsinë e një goli për pothuajse tërë takimin në Giuseppe Meazza, falë Edin Dzekos që kishte shënuar herët në minutën e 17-të pas një topi të kthyer nga shtylla e goditur nga Hakan Calhanoglu.
Por skuadra e Simone Inzaghit nuk arriti ta ruajë epërsinë dhe pranoi gol në minutën e 89-të.
Dybala, i futur në fushë si zëvendësues në minutën e 65-të, shënoi nga penalltia duke e mposhtur Samir Handanovicin, pasi paraprakisht Alex Sandro ishte ndalur me faull nga Denzel Dumfries.
“Mendoj se kjo ishte mënyra e vetme nga e cila ne mund të pranonim gol sonte. Është zhgënjyese, sepse mendoj se ne e kontrolluam ndeshjen nga fillimi deri në fund”, tha Inzaghi pas ndeshjes.
“Ne nuk e lejuam Juventusin të bëjë asgjë dhe nuk jam i lumtur që i lëshuam dy pikë”, shtoi ai.
Kjo është ndeshja e tretë nga katër takimet e fundit që Interi lëshon pikë dhe si pasojë ngel në vendin e tretë me 18 pikë, shtatë më pak se liderët Napoli dhe Milan.
Juventusi, ndërkohë, që ishte në një seri prej katër fitoreve radhazi, tani ka 15 pikë në vendin e pestë.