Trajneri i klubit spanjoll: Interi, simbol i Serisë A

Prishtinë | 22 Mar 2020 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, ka thënë se vendimi i presidentit të klubit, Angel Torres, për të mos e lejuar skuadrën të udhëtojë drejt Milanos për t’u përballur me Interin në Ligën e Evropës, ishte shumë i drejtë, dhe se klubi zikaltër është simbol i Serisë A.

Klubi spanjoll duhej të luante kundër Interit në Mialni më 12 mars në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Evropës, por refuzoi të udhëtonte drejt Italisë për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit në këtë vend në atë kohë

Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Bordalas tha se vendimi për të mos udhëtuar drejt Milanos ishte i duhur.

“Vendimi i presidentit ishte jashtëzakonisht i drejtë. Udhëtimi drejt Italisë në atë kohë ishte rrezik i madh”, tha Bordalas për të përditshmen italiane.

“Vetëm mendojeni se çfarë ndodhi me të tjerët që udhëtuan drejt Milanos në atë kohë, si Valencias (që luajti ndaj Atalantas në San Siro) apo ekipi i basketbollit i Real Madridit”, shtoi ai.

Trajneri i Getafes e lartësoi Interin.

“Çfarë të thuash për Interin: një klub historik, me një trajner të madh dhe lojtarë të shkëlqyer. Interi është simbol i Serisë A. Tani është duke u rritur shumë për ta rikthyer futbollin e dikurshëm. Përballja me të do të jetë një sfidë e mrekullueshme për ne”, theksoi ai. /Gazeta Express/

Të ngjashme