Trajneri i Maqedonisë: Nuk ka kuptim të luajmë pa tifozë, të anulohet ndeshja

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Coronavirusi mund të ndikojë rëndë në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të vlefshme për play-off të Ligës së Kombeve.

Por, trajneri i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, mendon se ndeshja duhet të shtyhet, pasi në situatën aktuale, do të luhej në rrethana absurde.

“Do të jetë një ndeshje historike ndaj Kosovës. Qeveria ka marrë masa dhe ka vendosur që të luhet me dyer të mbyllura për shkak të emergjencës së koronavirus. Por nuk është vetëm kaq, ka një urdhër nga qeveria që detyron 14 ditë karantinë për ata që arrijnë nga Italia dhe kjo vlen edhe për lojtarët. Sigurisht, nuk mund t’i imponojmë Elmas, Pandev e Nestervoski të qëndrojnë në izolim për 14 ditë për të luajtur këtë ndeshje, ndaj nuk do të mund të luanin”, ka deklaruar Angelovski për mediat maqedonase.

“Me Federatën kemi kërkuar ta shtyjmë ose të anulohet sfida. Që kur u vendos pa tifozë nuk ka kuptim, çfarë kuptimi ka të luash edhe pa lojtarë? Përtej kësaj, edhe Kosova nuk është se favorizohet. Rrahmani, kapiteni i saj, nuk do të mund të luante në të njëjtën mënyrë”, tha Angelovski.

“Futbolli në këto kushte humb kuptimin e tij, do të duhet të luhej vetëm nëse je në kushtet më të mirë për ta bërë një gjë të tillë dhe nëse ke siguri”, deklaroi ai.

Të ngjashme