“Çdo ekip i madh ka nevojë për një portier madhështor”, është thënie që vazhdon të mbetet në botën e futbollit. Maroku ka dëshmuar një gjë të tillë, kur regjistroi paraqitjen më të mirë në botërorin e mbajtur në vitin 1986 në Meksikë, duke arritur në mesin e 16 ekipeve më të mira. Por ky sukses i Marokut erdhi falë Badou Zaki, portierit që u shndërrua në legjendë dhe në të njëjtin vit fitoi “Topin e Artë” të Afrikës.
Tash, 32 vjet më vonë, Maroku do të bëjë paraqitjen e pestë në Kampionatin Botëror kur do të luajë në Rusi muajin e ardhshëm. Dhe, ekipi është në kërkim të një pasardhësi të denjë të madhështorit Zaki. Dy portierët që po shpresojnë të ndjekin hapat e legjendës dhe të shkëlqejnë në ngjarjen më të madhe të futbollit, janë Munir Mohamandi dhe Yassine Bounou.
Kjo ka bërë që seleksionuesi i Marokut, francezi Herve Renard, të ketë një punë të vështirë. Ai ende nuk di se cilin prej portierëve ta zgjedhë të parin për shkak se janë të barabartë pothuajse në të gjitha aspektet. Munir (192 cm) dhe Bounou (195) janë dëshmuar te Maroku dhe cilido prej tyre që është aktivizuar në portë ka treguar paraqitje të mira.