Intervista e diplomatit amerikan Gabriel Escobar dhënë për Zërin e Amerikës u vecua edhe për një detaj tjetër, të cilit iu kushtua pak vëmendje.
Në bisedë e sipër përfaqësuesi i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor deklaroi se për Uashingtonin edhe nëse Albin Kurti apo Aleksandër Vuçiçi tentojnë ta shmangin zbatimin e asaj për të cilën janë pajtuar në Bruksel dhe në Ohër, shteti i Kosovës dhe i Serbisë më nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Sepse ky eshte obligim ndërkombtar shtetëror i i dy vendeve dhe jo vetëm i dy liderëve momental politik.
Në pyetjen se ka zëra që thonë se Serbia mund të mbajë zgjedhje në të ardhmen, ndoshta në muajin mars. Si do të ndikojë në gjasat për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë? Gabriel Escobar u përgjigj tekstualisht “Nuk do të duhej (të ndikonte), sepse marrëveshja nuk është ndërmjet Vuçiçit dhe Kurtit. Marrëveshja është ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe ato marrëveshje mbeten në fuqi pavarësisht se cili udhëheqës është në pushtet”.
Ky konstatim tregon qarte se dakordimi i Albin Kurtit për ta themeluar autonominë territoriale të Kishës Ortodokse Serbe dhe vetëmenaxhimin e këtij komuniteti, përpos Asocacionit pa njohje reciproke, janë një obligim shtesë i Kosovës dhe se pa zbatimin e tyre shteti i Kosovës do të sillet në këtë vorbull vicioze dhe pa mundësi për të dalur nga gjendja aktuale.
Pra, Albin Kurti mund edhe të bëje ekzibicione në këtë drejtim. Të tentojë tash ta shmang atë për të cilën është pajtuar. Ta shfaq heroin. Dhe rezistuesin. Apo Kryetari i Kuvendit ta quajë tradhtar këdo që i implementon këto akte pa e siguruar njohjen nga Serbia. Kurse zëvendësi i tij Besnik Bislimi ta konsiderojë lëshim të madh këtë pajtim. Por kjo është gjendja. Vetëm ajo për të cilën ai është pajtuar në Bruksel dhe Ohër është trashëgimia e tij politike në raport me Serbinë. Dhe me këtë edhe e shtetit të Kosovës. Asgjë tjetër. Të tjerat i davarit era e historisë.