Trazira në Ekuador, presidenti largohet nga kryeqyteti

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Mijëra protestues indogjenë i kanë vërshuar rrugët e kryeqytetit të Ekuadorit në protestën kundër qeverisë. Përleshjet me policinë dhe trazira publike e detyroi presidentin e vendit që të largohet nga kryeqyteti.

Të martën pasdite, një grup i protestuesve arriti t’i kalojë barrierat e sigurisë dhe për një kohë të shkurtër hyri ne ndërtesën e kuvendit. Sidoqoftë, ata më vonë u nxorën jashtë nga policia, e cila përdori gaz lotsjellës. Deputetët nuk ishin brenda kuvendit kur ndodhi incidenti.

Në pjesë të tjera të kryeqytetit Quito, protestues të maskuar dhe të pajisur me shkopinj të gjatë hodhën gurë dhe u përplasën me forcat e sigurisë, të cilat u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.

Shteti i Amerikës Jugore me 17 milionë banorë duket se tashmë është futur në një bllokadë të rrezikshme. Vendi është paralizuar nga mungesa e transportit publik dhe bllokimi i rrugëve, të cilat po e dëmtojnë ekonominë edhe ashtu të brishtë.

Dhuna nisi javën e kaluar, kur presidenti Lenin Moreno vendosi t’i zvogëlojë ndihmat financiare të shtetit, të cilat më pas sollën rritje të çmimit të karburanteve. Prodhimi i naftës u ndërpre në disa qendra në sasi të përgjithshme prej 65 mijë fuçive në ditë, sepse protestuesit i sekuestruan disa pajisje të kësaj industrie.

Autoritetet deri tash i kanë arrestuar rreth 570 persona për sulme ndaj njerëzve, pronës publike dhe private, ndërsa qeveria tashmë e ka shpallur gjendjen emergjente, shkruan “The Guardian”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme