Tre aeroplanë të vegjël dje kanë fluturuar nga Prishtina drejt Hagës

Prishtinë | 11 Jan 2019 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Ndërsa mediat serbe raportuan dje dhe sot se nga Aeroporti i Prishtinës, pjesa ushtarake e tij, janë nisur drejt Hagës tre aeroplanë “me ish-pjesëtarë të UÇK-së, të ftuar nga Prokuroria Speciale për Krimet e Luftës së UÇK-së , në Prishtinë nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar të ketë ndodhur kjo.

Por, avokati Tomë Gashi i tha Koha.net-it se nga burime të sigurta të Aeroportit ka marrë konfirmim se nga pjesa ushtarake e tij janë nisur për në Hagë tre aeroplanë të vegjël. Avokati Gashi po ashtu tha se nuk di se kush ka udhëtuar me ta.

Siç është bërë e ditur edhe më herët, të hënën në Hagë do të jenë disa të ftuar nga Prokuroria Speciale për Krimet e Luftës së UÇK-së, ndër ta edhe Rrustem Mustafa – Remi, Sami Lushtaku e ndonjë tjetër, që vetë e kanë konfirmuar.

Sot, ndërkaq mediat serbe transmetojnë edhe një intervistë që zëdhënësi i Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës të UÇK-së, Chris Bennett i ka dhënë portalit Insajder të Serbisë në lidhje me zhvillimet rreth kësaj gjykate.

Në raportin e Dick Martyt flitet për shumëçka, ndërsa ne po bëjmë hetime gjithëpërfshirëse të përmbajtjes së tij, i tha Insajderit të Beogradit zëdhënësi i Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës të UÇK-së, Chris Bennett, duke komentuar fjalët e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, sipas të cilit të gjithë ata që përmenden në atë raport, dhe për të cilët ka fakte, do të ftohen të dalin para gjykatës, thuhet në raportimin e mediave serbe.

I pyetur nga Insajderi nëse do të marrë ftesë për t’u marrë në pyetje edhe presidenti i Kosovës, Hashim THaçi, i cili përmendet në raportin e Martyt si udhëheqës i rrjetit kriminal, Bennett nuk ka dashur të përgjigjet.

“Nuk mund të flasim për statusin e hetimit dhe për çështjet operative”, ka thënë ai, citojnë këto media.

Siç thuhet në këto raportime të shtypit të Beogradit, Marty ka shkruar për krimet e UÇK-së ndaj serbëve të rrëmbyer në Kosovë dhe në Shqipëri dhe ka shfaqur dyshime se disave prej tyre në Shqipëri u janë nxjerrë organet të cilat më vonë janë shitur.

Në qendër të raportit dhe të akuzave për krime lufte përmendet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-komandanti i UÇK-së Azem Syla, si dhe Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, Ramush Haradinaj e të tjerë, transmeton Koha.net.

Siç kanë shkruar këto media, të enjten ka udhëtuar për në Hagë grupi i parë i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, kur do t’i marrin në pyetje prokurorët e, siç shkruajnë ato, Gjykatës ( ndoshta Prokuroria, – v.j) Speciale për Krimet e Luftës të UÇK-së, të kryera gjatë luftës. Lista e udhëtarëve ende nuk është publikuar, por sipas këtyre burimeve thirrje për t’i marrë në pyetje kanë marrë dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën, Nazif Mehmetin, Remzi Shalën (këto përmendin emrin Safta Shala! – v.j) dhe Sabajdin Cenën.

Bennett pohohet se nuk ka dashur të zbulojë se kush kur do të merret në pyetje dhe ka përsëritur se për të dhënat operative nga hetimi nuk mund të flasë.

“Prokuroria Speciale për Krimet e Luftës së UÇK-së ka mandatin të intervistojë të dyshuarit, viktimat dhe dëshmitarët. Këtë e kemi bërë edhe vitin që shkoi”, thotë Bennett.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme