Kuvendi i Maqedonisë nuk arriti që ta kalojë seancën e 34-të për shkak të mospasjes së kuorumit. Tre deputetë të shumicë janë të infektuar dhe për këtë arsye nuk arritën të marrin pjesë në punën e Kuvendit.
“Të enjten javën e kaluar vërtetuam se për sot do të votohen pikat që i kaluam. Për fat të keq, duhet të konstatoj se shumica ka 59 deputetë të pranishëm. Tre deputetë të shumicës nuk mund të arrijnë për shkak se janë të infektuar me coronavirus. Dy prej tyre kanë marrë vendim për izolim, për shkak se janë pozitivë me COVID-19, ndërsa i treti ka simptoma dhe pret rezultate”, tha kreu u Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ai tha se votimi do të shtyhet dhe për këtë deputetët do të njoftohen.
Ndryshe, shumica kuvendare është e përbërë me 62 deputetë dhe shpesh herë akuzohet se nuk ka shumicën e nevojshme për të kaluar ligjet.