Tre ish-drejtuesit e Telekomit të Kosovës lirohen nga akuzat lidhur me kontratën me Z-Mobile

Prishtinë | 21 Tet 2019 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Tre ish-drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, janë liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, si dhe ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, janë liruar nga akuza lidhur me kontratën me Z-Mobile.

Në rastin e njohur si “Posta”, ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar pasi po pretendohet se i kishin shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues gjykatësit Lutfi Shala, ky trup gjykues nuk gjen se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.

Ai ka thënë se pas dëgjimit të dy të dëmtuarve, dëshmitarëve dhe provave materiale, nuk është vërtetuar pretendimi i Prokurorisë Speciale.

“Vërtetohet se ndërmjet dy kompanive PTK dhe Z-Mobile është lidhur një kontratë. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga palët kontraktuese gjykata ka pretenduar se këto veprime janë ndërmarrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i kanë pasur të dyja palët, por pasi të dyja palët kanë pasur pretendime të ndryshme lidhur me kontratën, palët i janë drejtuar ARKEP, i cili ka marrë vendim me të cilin është obliguar PTK që të rezervojë numeracionin 457 ku gjykata ka vërtetuar se PTK ka ndarë këtë numeracion për Z-Mobile. Për gjykatën nuk paraqet asnjë element i veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka deklaruar gjykatësi Shala.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt.

Sipas këtij aktvendimi, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës  ndaj tyre ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme