KMDLNj mbështet marrëveshjen midis Dardafonit dhe Telekomit

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 11:53 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka përshëndetur marrëveshjen në mes Dardafonit dhe Telekomit për zhbllokimin e xhirollogarive, përcjell Ekonomia Online.

KMDLNj thekson faktin se në këtë situatë kur po rrezikohet ekzistenca e mijëra qytetarëve të Kosovës, punëtorë të Telekomit dhe anëtarëve të familjeve të tyre, në kohën kur pandemia e shkaktuar nga COVID -19 po e rëndon skajshmërisht situatën, ka munguar ana humanitare nga institucionet e vendit, duke e krijuar një situatë jashtëzakonisht të rëndë.

Më poshtë komunikata e plotë KMDLNj-së:

Pas shumë problemeve që, pa fajin e tyre e kanë pësuar punëtorët e TELEKOM-it, me ndërmjetësimin dhe garantimin e qeverisë së Kosovës është arritur marrëveshja midis Dardafonit dhe Telekomit për borxhin që ka filluar të realizohet me procesin e përmbarimit me ç’ rast Telekomit i është bllokuar xhirollogaria nga janë tërhequr mbi 6 milionë euro duke i lënë për dy muaj pa rroga punëtorët e kësaj ndërmarrjeje publike e që nuk kanë asnjë përgjegjësi për gjendjen e krijuar. Ishte një situatë kur një numër i madh i punëtorëve dhe familjeve të tyre përballeshin me probleme të mbijetesës me ç’rast në mënyrë drastike iu shkelen të drejtat e njeriut.

KMDLNj thekson faktin se në këtë situatë absurde kur rrezikohej ekzistenca e mijëra qytetarëve të Kosovës, punëtorë të Telekomit dhe anëtarëve të familjeve të tyre, në kohën kur pandemia e shkaktuar nga COVID -19 po e rëndon skajshmërisht situatën, ka munguar ana humanitare, njerëzore duke e krijuar një situatë jashtëzakonisht të rëndë. Në aspektin ligjor, pas vendimit të Arbitrazhit dhe vendimit të Gjykatës për përmbarimin e borxhit të pashlyer, Dardafoni ka të drejtë ligjore në realizimin e këtyre të drejtave të përcaktuara me ligj mirëpo, në rrethana të jashtëzakoinshme ndërmerren edhe veprimet e jashtëzakonshme ku të drejtat e njeriut, e drejta për të jetuar nga puna që e bënë duhet të jenë mbi një vendim gjyqësorë. Në këtë kontekst, marrëveshja e arritur midis Telekomit dhe Dardafonit e që garantohet nga qeveria e Kosovës, paraqet një siguri për punëtorët e Telekomit dhe krijon kushte për investime të reja sikur edhe për një reformë të mirëfillt të Telekomit i cili, nga një ndërmarrje shumë e fuqishme ekonomike u shndërrua në një aset social, krejtësisht të pasigurt dhe të paqendrueshëm. Periudha e zbatimit të marrëveshjes prej 24 muajve, me një planifikim të mirë dhe me eliminimin e shkaqeve që e kanë sjellë Telekomin në rolin e lypësit me shkop, sipas KMDLNj është e mjaftueshme që të kryehen detyrimet ndaj Dardafonit dhe të fillojë këndellja e kësaj ndërmarrjeje. KMDLNj e rithekson faktin se as qeveria Kurti e as qeveria Hoti nuk kanë përgjegjësi për gjendjen e rëndë në Telekom por se këtë gjendje e kanë trashiguar nga qeveritë paraprake, në kohën kur është nëshkruar marrëveshja, prandaj e kundërshton mënyrën e
komunikimit midis protestuesve dhe përfaqësuesve të qeverisë të datës 16 nëntor 2020.

Përfaqësues të qeverisë, z.kryministri Besnik Tahiri dhe ministri Blerim Kuçi kanë treguar vullnet për tejkalim të situatës së krijuar që , për fat të mirë për punëtorët e Telekomit edhe është arritur andaj gjuha e përdorur gjatë këtij komunkimi për KMDLNj është e papranueshme e që e vështirëson komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen. Në këtë kontekst , për shkak të gjuhës së përdorur, KMDLNj vlerëson dhe kërkon që zkryeministri Tahiri duhet të kërkojë falje publike edhe ndaj punëtorëve të Telekomit sikur edhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Po të njëjtin veprim duhet ta bëjnë edhe punëtorët e Telekomit të cilët përgjegjësinë për, siç e deklaruan ata për hajni duhet ta adresojnë në institucionet përkatëse e jo kundër atyre që në rastin konkret nuk kanë fare përgjegjësi.

KMDLNj përkrahë kërkesat e drejta të punëtorëve të Telekomit sepse janë në mandatin e KMDLNj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e që me bllokimin e xhirollogarisë seriozisht u rrezikuan, duke i rrezikuar punëtorët dhe familjet e tyre.

Për shkak të situatës së krijuar nga COVID -19, jeta e shumë qytetarëve është vështirësuar shumë dhe këtë gjendje po ua rëndojnë edhe shumë edhe proceset përmbarimore kur edhe rasteve sociale po u bllokohen xhirollogaritë, në emër të shlyerjeve të borxheve. Prandaj, KMDLNj
vlerëson dhe kërkon që proceset përmbarimore të prolongohen për aq kohë sa e kemi këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe, me normalizimin e situatës duhet të gjindet një zgjidhje e pranuar nga të gjithë, në përputhje me mundësitë materiale. Shteti i Kosovës duhet të garantojë dhe sigurojë mirëqenien e qytetarëve, në situata normale kurse, në situata të jashtëzakonshme duhet të merr vendime të jashtëzakonshme, së paku për t’ua lehtësuar gjendjen e cila, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë i ngjet situatatave në gjendje lufte. KMDLNj shpreson se punëtorët e Telekomit do të kompensohen me kohë për pagat e mohuara, pa fajin e tyre dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme