Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti mbetet kundërshtar i dokumentit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020.
Megjithatë Kurti është i mendimit se kjo ujdi duhet të lexohet jo nga pika e parë por nga e fundit e saj e që flet për njohjen reciproke Kosovë-Izrael.
“Ai dakordim i dyfishtë unilateral i katër shtatorit 2020 në tekstin që i korrespondonte palës kosovare më së miri është të lexohet nga fundi te pika që flet për njohjen e Kosovës nga Izraeli, e më pastaj nuk ka fortë gjëra të mira më tej “ thotë Kurti.
E pretendenti për shef qeverie nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti mbetet besnik i nënshkrimit të dhënë në Zyrën Ovale në fillim vjeshtën e vitit që shkoi.
Hoti, konsideron se zotimet e Washingtonit janë të mira dhe se kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje do ta shohin se e kishin gabim.
Nga ana e tij njeriu i tretë që synon të marrë postin më të pushtetshëm politik të Republikës, ka shprehur paraprakisht rezerva rreth akordit në Shtëpinë e Bardhë.
Por kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj këtyre ditëve të para fushatës nuk është se ka folur për këtë temë.
Megjithatë nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe sekretari Uran Ismaili gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” kanë thënë se partia e tyre nuk është kundër ujdive që bëhen në Washington por ata u shprehën të bindur se PDK do të “negocionte një marrëveshje shumë më të mirë në interes të Kosovës”