Nesër në varrezat e martirëve në Shipol të Mitrovicës do varrosen eshtrat e tre dëshmorëve, mbetjet e të cilëve ishin gjetur në dhjetorin e vitit të kaluar.
Dibran Dibrani është njëri prej viktimave, i cili ishte zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, i biri i tij, Safeti, për emisionin Info Magazine në Klan Kosova tregoi se kur ishte hera e fundit që e kishte parë të atin.
“Në mëngjesin e 24 majit të vitit 1999 ne u rrethuam nga policia e ushtria serbe. Babai doli nga shtëpia që t’i dërgonte disa gjëra tek një mbesë e jona që nuk i kishte kushtet e mira ekonomike, dhe prej atij momenti nuk është kthyer më”.
“E kemi kërkuar çdo kund”, deklaroi ai.
Me gjithë lehtësimin që iu gjetën eshtrat, Safeti u shpreh se nesër është një ditë e rëndë për të dhe familjarët e tij, si dhe luti institucionet përgjegjëse që të bëjnë më shumë në lidhje me gjetjen e të zhdukurve të tjerë.
Po ashtu, ai sqaroi se në bazë të rrobave që i kishte pasur të veshura babai i tij, ka qenë 100 përqind i sigurt se eshtrat e gjetura i përkisnin atij, dhe më pas me mjekun ligjor ishte interesuar rreth mënyrës së vdekjes së të atit.
“Më kanë thënë se është goditur me një mjet të fortë dhe se ka qenë i lënduar në pjesën e kokës. Përveç kësaj edhe këmbën e ka pasur të thyer”.
“Kam pyetur edhe në lidhje me atë se a ishte vrarë me armë, për çka nuk ishin të sigurt, duke më thënë se edhe mund të ketë ndodhur, por që plumbi t’i ketë depërtuar nëpër trup dhe nuk i ka prekur kockat e turpit”.
Në fund, ai deklaroi se nesër do të mblidhen të gjithë vëllezërit dhe se tani ndjen lehtësim, pasi e gjithë familja tani e tutje e dinë se ku e ka varrin babai i tyre dhe se shpirti i pushon më ndryshe.