Tre muajt e fundit në Kosovë, një i vdekur e mijëra të prekur nga gripi sezonal

Prishtinë | 11 Jan 2020 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Një person i prekur me gripin sezonal ka vdekur në Kosovë, derisa më shumë se 12 mijë persona të tjerë janë prekur me këtë grip, nga tetori deri më 15 dhjetor të vitit 2019.

Nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është bërë e ditur se një i moshuar i prekur me grip, por që ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore, ka vdekur.

Derisa ende nuk është nxjerrë raporti se sa është numri i të prekurve me këtë grip aktualisht, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend është raportuar se që nga muaji tetor i vitit që lamë pas e deri më 15 dhjetor në këtë institut janë raportuar gjithsej 12 mijë e 331 raste të dyshimta me grip dhe 2 mijë e 40 raste me infeksion respirator akut, shkruan Zëri.

Vazhdimisht po bëhet apel te qytetarët që t’i marrin masat e nevojshme për t’u mbrojtur nga ky grip.

Ndër kategoritë që rrezikohen nga gripi janë edhe fëmijët. Në Klinikën e Pediatrisë thonë se nga muaji dhjetor veçse ka filluar të rritet numri i fëmijëve të paraqitur me simptoma të ngjashme si ato të gripit, duke përshirë këtu kollitje e temperaturë.

Nga kjo klinikë u është bërë thirrje disa herë prindërve që të kujdesen për fëmijët e tyre, në mënyrë që ky grip, i cili është paraqitur në këtë kohë, të mos i prekë ata.

Pediatri Ramush Beiqi ka thënë se gripi paraqitet gjatë stinës së pranverës, vjeshtës e dimrit. Ai ka theksuar se gjatë këtij sezoni ka edhe fëmijë të cilët preken nga gripi e që duhet të marrin masa për t’u mbrojtur nga ai.

“Shpeshherë fëmija mund të ketë shenja të gripit, por të mos e ketë atë grip. Zakonisht gripi paraqitet në vjeshtë, në pranverë e në dimër. Fëmijët me grip kanë temperaturë. Ata duhet të pinë më shumë lëngje e çaj. Edhe nëse fëmija është i sëmurë me kollë ai duhet të qëndrojë në shtëpi edhe për shkak të menaxhimit të tij më lehtë, edhe për shkak që gripi të mos kalojë te pacientët tjerë”, tha ai.

Beiqi ka thënë se është mirë që edhe në spitale të ndalen vizitat e shumta, kjo për shkak të mospërcjelljes së gripit edhe në personat tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme