Tre pacientët e shtrirë në QKUK nuk janë të prekur nga Coronavirusi

Prishtinë | 25 Shk 2020 | 19:48 | Nga Hasan Hoti

Ka rezultuar negativ testi i analizave laboratorike rreth dyshimeve se tre persona janë prekur nga virusi kinez Coronavirusi, kanë konfirumuar për EO, burimet brenda IKSHPK-së.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme, më 25 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta në Koronavirus COVID-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, njofton IKShPK’ja.

Në Klinikën Infektive në QKUK, sot janë paraqitur 3 raste të dyshuara për koronavirus.

Siç njofon QKUK’ja, të tre pacientët që dyshohej se janë të prekur nga virusi, kanë ardhur nga Italia ku tashmë janë konfirmuar dhjetëra raste të të prekurve prej koronavirusit.

“Një shtetas jo kosovar, 69 vjeç i cili ka qëndruar në Itali. Dy shtetas të tjerë kosovarë, 25 vjeç dhe 23 vjeç, të cilët kanë ardhur sot nga Italia”, thuhej në njoftim.

Por në bazë të analizave të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik rezultatet për këtë rast kanë dalë negative, njofton IKShPK’ja.

Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin, e rezultatet dolën negative.

Sipas tyre, ekipet po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me koronavirus në botë.

Ndërkohë, komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri.



Të ngjashme