Tre persona kanë vdekur dhe të paktën 20 të tjerë janë lënduar nga një tornado në Onalaska, Teksas të mërkurën, kanë thënë oficerët e emergjencës.
Dy të tjerë kanë vdekur në jugun e Oklahoma-s, përderisa mediat lokale raportuan që një grua ka vdekur në një stuhi në Luizianë.
‘’Më 22 Prill, një tornado goditi qytetin e Onalaska-së dhe pjesë të qarqeve të Polkut, San Jacintos dhe me shumë gjasa edhe qarkun lindor rrethues’’, ka thënë shërbimi kombëtar i motit të Houstonit në një deklaratë.
Tornado ka goditur edhe kufirin e Oklahoma-s me Teksasin të mërkurën në mbrëmje. Shërbimi kombëtar i motit të Houstonit ka thënë se do të dërgojë ekipe të enjten për të vrojtuar shtegun e Onalaskës ku ka goditur tornadoja.
Qarku i Polkut, ku është Onalaska, kanë lëshuar një deklaratë të katastrofës të mërkurën pas goditjes së tornados, raporton Reuters.
‘’Shteti do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundet për të mbështetur ata që janë prekur nga ky mot’’, tha governatori i Teksasit, Greg Abbott në një deklaratë.
Shumë shtëpi janë dëmtuar gjatë stuhisë dhe me mijëra shtëpi kanë mbetur pa rrymë elektrike. Më shumë se 7.000 njerëz në Oklahoma dhe rreth 9.000 njerëz kanë pasur probleme me rrymë elektrike.
Ky zhvillim vjen pasi që shumë amerikanë janë nën urdhrin ‘’që të rrinë në shtëpi’’ për arsye të pandemisë.
Në fillim të këtij muaji, të paktën gjashtë persona janë vrarë nga një stuhi e fortë në vendet jugore si Mississippi dhe Luiziana.