Në Bagdad forcat e sigurisë vranë të premten tre protestues dhe shpërndanë me forcë demonstruesit që mbanin të bllokuar portin kryesor të vendit pranë Basras.
Forcat e sigurisë hapën zjarr dhe hodhën gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve në një urë kryesore në Bagdadit njoftuan burime të policisë. Dy persona mbetën të vrarë nga plagët e marra me armë zjarri ndërsa një tjetër pasi u qëllua në kokë me një bombul gazi lotsjellës. Sipas njoftimeve të paktën 27 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në jug të vendit forcat e sigurisë rihapën hyrjen për në portin kryesor të Irakut, atë të Umm Qasr-it, të cilin protestuesit e mbanin të bllokuar prej ditës së hënë. Por porti nuk ka nisur ende të funksionojë normalisht.
Të paktën 329 vetë janë vrarë që nga fillimi i trazirave në fillim të muajit tetor në Bagdad dhe në jug të Irakut. Këto konsiderohen si demonstratat më të mëdha që nga rënia e Saddam Hussein në vitin 2003. Protestuesit kërkojnë largimin e asaj që e quajnë një klasë politike të korruptuar e që i shërben fuqive të huaja ndërsa shumë irakenë jetojnë në varfëri, pa punë, kujdes shëndetësor apo arsim.
Kleriku kryesor mysliman shiit i Irakut Ayatollah i Madh al-Sistani, bëri thirrje të premten që politikanët të nxitojnë për të reformuar ligjin zgjedhor pasi sipas tij kjo do të ishte e vetmja mënyra për t’i dhënë zgjidhje trazirave të dhunshme disa javore.