Tre vrasje për dy hakmarrje, historia e konfliktit që përfundoi me vrasje

Prishtinë | 24 Gus 2016 | 20:11 | Nga

Qëndrim Shala nga Cermiani dhe Veton Gjoshi nga Smolica, morën hak për babanë, respektivisht vëllain, kur qëlluan për vdekje tre viktimat Valon e Ali Islamaj dhe Zef Krasnqin, të martën pasdite në Çarshinë e Gjakovës.

Dy të rinjtë aktualisht ndodhen në arrati, derisa policia s’po lë cep të qytetit pa i kërkuar

Historia e konflikteve që përfundoi një ditë më parë me vrasje të trefishtë në Gjakovë kishte filluar disa vite më parë. Disa konflikte fizike e verbale e edhe tentim vrasje, kishin ndodhur mes viktimave dhe të dyshuarve për kryerjen e krimit të djeshëm, por edhe familjarëve të këtyre të fundit.

37 vjeçari Zef Krasniqi nga fshati Meqe i Gjakovës, që ishte njeri nga viktimat e vrasjes të së martës, rreth orë 16:00, 8 vite më parë kishte qëlluar me një plumb në bark Brahim Shalën nga Cermiani. Ky i fundit babai i Qëndrim Shalës – njërit prej të dyshuarve kryesorë si autor i vrasjes së trefishtë.

Brahim Shala kishte arritur t’iu mbijetonte këtyre plagëve, njëjtë si edhe shoku i tij Leonard Hoxhaj i cili në të njëjtën tentim vrasje kishte mbetur i plagosur me dy plumba që ia kishte shkrepur Zef Krasniqi në të dy këmbët. Kur kishte ndodhur krejt ky konflikt, bashkë me Krasniqin kishte qenë edhe viktima e tjetër e vrasjes së djeshme në Çarshi, Valon Islamaj i njohur për gjakovarët si Valon Madanaj dhe një tjetër shok i tyre, Nikollë Ndrejaj. Të dy këta ishin përfshirë vetëm si ‘propozim akuzë’ në aktakuzën ndaj Zef Krasniqit të ngritur nga Gjykata e Qarkut në Pejë më 13 janar 2009, në lidhje me këtë rast.

Kryesi i tentim vrasjes ndaj dy personave, tashmë i vrarë, Zef Krasiqi ishte dënuar nga një trup gjykues i EULEX’it me tre vite burgim për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

.

Aktgjykimi ndaj tij ishte shqiptuar më 28 janar 2014 në Gjykatën Themelore të Gjakovës, për t’u kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, 10 muaj më pas – më 24 nëntor 2014. Kjo pasi që Prokurori i rastit ishte ankuar në Apel pasi ishte i pakënaqur me dënim e shqiptuar nga shkalla e parë e Gjykatës.

Procesi gjyqësor ndaj tij kishte rinisur, por nuk do të ketë asnjëherë verdikt. Kjo pasi i akuzuari Zef Krasniqi u vra të martën në Gjakovë. Bashkë më të, nga breshëria e plumbave të një automatiku dhe një pistolete, jeta iu mor edhe Valon Islamaj dhe vëllait të tij Ali Islamaj – që i shoqëronte dy viktimat e tjera në momentin kur u krye vrasja.

Këta plumba mendohet se u shkrepen për hakmarrje nga djali i të plagosurit Brahim Shala, Qendrimi – 24 vjeçar bashkë me shokun e tij Veton Gjoshi i të njëjtës moshë.

Dy të rinjtë Shala dhe Gjoshi, përveçse miqësia e thellë më njeri-tjetrin i bashkonte edhe armiqësia me këtë grup që njiheshin si të rrezikshëm në qytetin e Gjakovës. Dhe jo rastësisht, dyshohet se vrasjen e kryen bashkë.

Vëllezërit Madanaj (Valon e Ali Islamaj) në dimër të këtij viti kishin nisur një konflikt me vëllain më të madh të Veton Gjoshit, Gjelbrimin. Ai punonte si sigurim në një klub nate, nga ku i kishte larguar vëllezërit për shkak se shkaktonin probleme. Disa muaj pas, Valon e Ali Islamaj (35 e 28 vjeç), bashkë me Zef Krasniqin, ishin takuar rastësisht me Gjelbrim Gjoshin në një restorant në afërsi të Gjakovës.

Gjoshi, i cili ishte bashkë me gruan e tij, ishte sulmuar fizikisht nga këta tre persona, dhe në fund ishte goditur edhe me karikator të pistoletës.

Krejt këto thuhen në version e parë të hetuesisë për rrethanat e kësaj vrasje, të konfirmuara për Gazetën Express nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Pas vrasjes të së martës, Gjelbrim Gjoshi fillimisht ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që u krye në Çarshi të Gjakovës. Ai ishte shoqëruar menjëherë në stacion policor, ku kishte rrëfyer se kryesi ishte vëllai i tij Vetoni.

Në deklarimin në polici, të cilin e ka parë Gazeta Express, Gjoshi kishte thënë se pasi kishte ndodhur vrasja, vëllai i tij e kishte thirrur dhe i kishte treguar se e kishte nxjerrë hakun për sulm.

“E kreva atë punë”, kishte cituar para autoriteteve policore Gjelbrimi vëllain e tij Vetonin.

Dyshimet për Gjelbrim Gjoshin ishin të bazuara në rrëfimet e dëshmitarëve që panë nga afër vrasjen, pasi në rrugën “Ismail Qemajli”, përballë Çarshisë ku ndodhi vrasja, autoret e dyshuar për krimin kishin ardhur me një veturë Fiat Uno ngjyrë të kaltër – të cilën zakonisht e voziste Gjelbroni.

Ky i fundit, pas shoqërimit në Polici u la i lirë pas intervistimit. Derisa, Policia ka nisur menjëherë aksionet për t’i kapur dy të dyshuarit kryesorë. Nga mbrëmë e edhe të mërkurën gjatë ditës janë bastisur disa lokacione, përfshirë shtëpitë e tyre në Cermian, respektivisht në Smolicë.

Të afërm të të dyshuarve, të mërkurën, i kanë thënë Gazetës Express se të dyshuarit Qendrim Shala e Veton Gjoshi e kanë ndërmend që vetë tu dorëzohen organeve të drejtësisë, dhe kjo sipas tyre pritet të ndodhë në pak orë.

Tre viktimat ishin të ulur në një lokal kur ishin qëlluar. Në raportin e autopsisë thuhet se Valon Islamaj ishte qëlluar me disa plumba në kokë dhe zemër, gjë që ka sjellë vdekjen e tij të menjëhershme. Ndërsa, Ali Islamaj dhe Zef Krasiqi ishin qëlluar në pjesë tjera të trupit. Ata kishin ndërruar jetë pa mbërritur në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Të ngjashme