Tregimi për çobanin që i kishte vetëm 10 dele

Prishtinë | 15 Jan 2023 | 21:54 | Nga Ramiz Lladrovci

Këtë opinion timin po e nis me një tregim: Një çoban i kishte pasur 10 dele e tjetri 90, ky që i kishte 10, i thoshte atij që i kishte 90 dele: A i bashkojmë delet e i ndajmë përgjysmë!

Partitë politike janë grupim i njerëzve (grave dhe burrave) të cilët në radhë të parë dhe para së gjithash i bashkojnë idetë dhe në këtë drejtim, si rregull, lëvizjet janë më se normale, nga një subjekt në ndonjë subjekt tjetër, kur vlerëson se vizioni dhe idetë tua përputhen me ndonjë subjekt politik. Ama edhe këtu duhet pasur etikë, duhet pasur moral, pavarësisht se në opinion dominon diskursi që në politikë vlera të tilla ka pak, e nganjëherë thuajse aspak.

Por, shtrohet pyetja, kush i ka kontribuar më shumë këtij diskursi, sigurisht vet figurat politike, të cilët mbase për një grusht votash ndahen, mohojnë gjithçka, “jo kurrë me atë”, “jo kurrë me këtë”, e nganjëherë edhe themelojnë parti, të gjitha këto për shkak të “parimeve”.

Ndonëse të gjithë jemi të vetëdijshëm se nëse jo çdo herë, në mbi 95% të rasteve këto janë bërë për interesa personale e për protagonizëm. Saktësisht i tillë ka qenë rasti me PDK-në dhe daljen nga ky subjekt.

E tash, kur janë në prag të falimentimit, flasin për “bashkim”, bashkim si ai tregimi në fillim. Po aq sa ishte “parimore” largimi, po aq “parimore” mund të jetë dhe të duket “bashkimi”.

Jo, unë e them JO, me plotë gojën, për njerëzit të cilët vetëm për parime s’u larguan nga PDK-ja, për ta nuk duhet të ketë vend PDK-ja, njerëz të cilët s’lanë fjalë të zezë pa thënë e pa bërë kundër PDK-së, për figurat e saj historike, historike jo vetëm për PDK-në por edhe për Kosovën, më së paku e kanë vendin në PDK.

PDK-ja është parti e madhe, e vlerave të mëdha, e punëve të mëdha, në etapat më të rëndësishme të rrugëtimit tonë, nga çlirimi, proceset negociatore të cilat kulmuan me Shpalljen e pavarësisë, pastaj edhe etapa pas Pavarësisë. Arritje të cilat mbajnë vulën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të personaliteteve drejtuese të saj, z. Thaçi e z. Veseli.

PDK-ja, ka lidership, ka kombinimin e mirë të traditës të gërshetuar me modernen, ka figura të jashtëzakonshme të cilët kudo ku kanë qenë dhe çfarëdo përgjegjësie (të rëndësishme) që kanë pasur, kanë shkëlqyer. Në zgjedhjet lokale, komunat e fituara dhe asamblistët e zgjedhur në Asambletë komunale, u dëshmuan se kjo strukturë tregoi sukses në udhëheqje të partisë dhe të gatshëm për fitore të mëdha.

E tillë duhet me qenë PDK-ja, me hapësirë dhe mundësi për kuadro të reja, grave dhe burrave të dëshmuara dhe atyre me potencial e që ka shumë. Duhet bërë edhe më shumë për t’i angazhuar, për të qenë atraktiv, e atraktive një parti politike bëhet duke ju dhënë hapësirë kuadrove të reja. S’duhet të ketë vend për riciklime.

Dihet se Kosovën e ka çliruar mundi dhe sakrifica shekullore e një populli, gjaku i dëshmorëve, martirëve dhe tërë popullit që dhanë gjithçka për liri. Pak është 400 vjet të angazhohemi e përpiqemi për rrugën e vlerat euro-atlantike, me në krye Amerikën, si falënderues të përjetshëm për krejt çfarë kanë bërë për Kosovën dhe po bëjnë sot që të jemi shtet ku sundon ligji dhe demokracia.

Disa që po prodhojnë lajme koti, nuk po e kuptojnë se ju ka kaluar koha, janë të skaduar dhe nuk kanë çfarë të prodhojnë të re në politikë. Janë e kaluara e PDK-së.

Pres që PDK-ja të ecën përpara me të reja dhe të rinj që shef e kanë ligjin, praktikat më të mira qeverisëse me vlerat euro-atlantike!

Të ngjashme