Në Kosovë janë të regjistruara më shumë se 160 mijë ndërmarrje. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, sipas shifrave zyrtare, janë regjistruar 2,556 biznese të reja.
Edhe gjatë kësaj periudhe aktiviteti ekonomik më i preferuar për afaristët mbetet tregtia me 722 ndërmarrje, pasuar nga prodhimi 316 dhe ndërtimtaria me 266 ndërmarrje të reja.
Numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave është në Prishtinë dhe Ferizaj.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, tregojnë angazhimet që përveç tregtisë afaristët kosovarë të kenë mundësi të orientohen edhe nga prodhimi dhe sektorët tjerë.
Pronari i disa kompanive të mëdha tregtare në vend, tashmë këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Gazmend Abrashi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ekonomia e Kosovës ka mbetur mbrapa krahasuar me vendet e rajonit, për shkak të luftës së fundit në Kosovë.
Kurse, më pas, vijon ai, afaristët janë orientuar kah tregtia për shkak të kushteve më të lehta për operim dhe përfitim.