Kruja veç historisë së saj me luftëra e kala, me mure e muze, bëhet turistike edhe për shkak të pazarit të saj të famshëm.
Pazari karakteristik i Krujës shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë së Krujës.
Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut. Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut në shek e XV, kur dyqanet e tij arrinin deri pranë hyrjes së kalasë.
Dyqanet i kanë muret, tavanet dhe qepenat prej druri, shkruan ATSh.
Kjo është dhe zona kryesore turistike e qytetit e vendosur në qendër të tij në rrugën që të çon për në kështjellë.
Zona Turistike- Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend.
Ky Pazar, por edhe muzetë e Krujës, Kalaja historike vizitohen gjatë gjithë stinëve të vitit nga të huaj dhe vendas,studentë, nxënës të shkollave nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zeje të ndryshme si pajisje prej bakri, qëndistari, punues të armëve, etj.
Aktualisht në dyqanet e këtij pazari mund të gjendet suvenire të vjetra apo edhe të punuara kohët e fundit, ndërsa artizanët e traditës vazhdojnë punimet e qelesheve, qilimave apo ato të drurit.
Këtu vizitorët e huaj kanë mundësi për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit shqiptar si punime në argjend, bakër, qëndistari, bizhuteri, qilima etj.
Ajo që bie më shumë në sy në këtë Pazar teksa futesh brenda tij janë qeleshet ose siç quhen ndryshe “plisi”, që njihen si një ndër produktet artizanale tradicionale shqiptare, ku pavarësisht ndryshimeve në mënyrën e veshjes, vazhdon të përdoren në raste të ndryshme.
Ai më shumë përdoret në rastin e festive, në gëzime familjare si dasma, festime dhe aktivitete artistike nga burrat shqiptarë, por edhe të rinjtë.
Në afërsi të pazarit është një xhami e shekullit të XVI-të, e ndërtuar në të njëjtën kohë me atë që ndodhet brenda Kalasë.
Ndërkohë që xhamia e pazarit i është nënshtruar një rikonstruksioni nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) xhamia e cila ndodhet brenda në kala është e rrënuar dhe gati e braktisur.
Këtu turistët kanë rast për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit si punime në argjend, bakër, alabastër, qëndistari, bizhuteri, filigrame, qilima etj. Pazari i ka rezistuar sundimit 500 vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.
Kruja dhe Pazari i saj, mbeten më të vizituarat në vendin tonë sidomos nga turistët e huaj.