Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka hartuar një raport politikash i cili ofron një analizë të rezultateve të procesit të monitorimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane, me fokus në fushën e konkurrencës. GLPS po ashtu ka analizuar edhe zhvillimet e fundit sa i përket Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Ky raport politikash është pjesë e projektit “Monitorimi i vazhdueshëm i arritjeve në përmbushjën e objektivave që dalin nga MSA-ja, në fushën e konkurrencës”, i cili financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), ndërsa menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka rifilluar punën në qershor të vitit 2016, pas një periudhe të gjatë të mos-funksionimit, përkatësisht që nga viti 2013 deri në vitin 2016 – kjo si e pasojë e paaftësisë së Qeverisë të propozojë anëtarët e Komisionit. Duhet cekur që gjatë kesaj periudhe të gjatë të mos- funksionimit, tregu në Kosovë ka mbetur tërësisht i pavëzhguar.
Deri në vitin 2018, Autoriteti i Konkurrencës ka pranuar buxhet të pamjaftueshëm, gjë që ka ndikuar negativisht në performancën e këtij regullatori të pavarur duke e pamundësuar rritjen e kapaciteteve të brendshme dhe espertizën e tyre. Mirëpo, për vitin 2018, buxheti për Autoritetin është rritur rreth 31%, dedikuar për linjën e pagave dhe meditjeve. Kjo rritje e buxhetit ka mundësuar Autoritetin të rris kapacitetet e brendshme, gjë që ka mundësuar krijimin e katër divizioneve të reja në kuadër të Departamentit për Mbikëqyrjen e Tregut. Për më tepër, krijimi i këtyre divizioneve të reja ka lehtësuar menaxhimin e përgjithshëm të rasteve të hetimit.
Autoriteti është përballur edhe me disa sfida të cilat e kanë penguar punën dhe performancën e tij. Së pari, Mendimet Profesionale të Autoritetit jo gjithnjë konsiderohen nga insitucionet relevante, siç është rasti për homologimin e automjeteve. Më saktësisht, Autoriteti ka kundërshtuar disa nga dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 2/2018 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologimin e automjeteve duke rekomanduar rishikimin e këtyre dispozitave. Përkundër kësaj, ky Udhëzim Administrativ është miratuar në prill të vitit 2018, duke thelluar edhe më shumë monopolin ekzistues në këtë sektor.Së dyti, Autoriteti rrallë herë konsultohet nga institucionet tjera gjatë hartimit, ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve dhe rregulloreve që prekin fushën e konkurrencës. Kjo mund të rezultojë në një mospërputhje të mundshme në mes të ligjeve ekzistuese dhe atyre të reja. Së treti, gjyqtarët të cilët trajtojnë rastet e konkurrencës kanë mungesë të ekspertizës adekuate në këtë fushë. Për më shumë, gjykata ka tendencë të përqendrohet më shumë në çështje procedurale, duke lënë anash substancën e rasteve.
Departamenti për Ndihmë Shtetërore është transferuar nga Autoriteti i Konkurrencës te Ministria e Financave në vitin 2017. Ky departament është kompletuar me stafin e nevojshëm gjatë vitit 2018, mirëpo procedurat e përzgjedhjes së Komisionit, organit vendim-marrës të këtij Departamenti, nuk janë finalizuar ende.
GLPS gjithashtu ka monitoruar masat dhe veprimet e dala nga Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA- së dhe Agjenda për Reforma Evropiane, me fokus në fushën e konkurrencës.
Sa i përket, PKZMSA-së, në vitin 2017 të gjitha Udhëzimet Administrative të parapara të përfundohen janë plotësuar, duke përfshirë: -Udhëzimin Administrativ për përjashtimin grupor të marrëveshjeve horizontale; -Udhëzimin Administrativ për përjashtimin grupor të marrëveshjeve vertikale; -Udhëzimin Administrativ për përjashtimin grupor të marrëveshjeve në sektorin e sigurimeve; -Udhëzimin Administrativ për përjashtimin grupor të marrëveshjeve në sektorin e transportit, dhe Udhëzimi Administrativ për përjashtimin grupor të marrëveshjeve në sektorin e distribuimit dhe servisimin e automjeteve.
Ndërsa, në vitin 2018 PKZMSA ka paraparë ndryshimin dhe plotësimin e: -Ligjit Nr. 03 / L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, -Rregullorës për Procedurat dhe Formatin e Njoftimit për Ndihmën Shtetërore, dhëzimit Administrativ mbi kriteret për shqiptimin e masës së sanksioneve administrative, dhe -Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e tregut relevant. Të gjitha procedurat për këto ndryshime kanë filluar dhe pritet të përfundohen deri në fund të vitit 2018, në përputhje me afatin e paraparë.
Ndërsa në kuadër të ERA-së, sa i përket fushës së konkurrencës, gjatë vitit 2017 është paraparë plotësimi i disa veprimeve që përforcojnë kapacitetet e Autoritetit të Konkurrencës si dhe organet e Ndihmës Shtetërore. Këto prioritete përfshijnë: -Fuqizimin e procedurave dhe kapaciteteve të brendshme në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për realizimin e hetimeve; -Hulumtimin dhe përgatitjen e një raporti mbi gjendjen aktuale të monopoleve në tregun në Kosovë; -Përafrimin dhe ndryshimin e ligjit për Ndihmë Shtetërore dhe legjislacionit sekondar. Të gjitha këto veprime janë plotësuar në vitin 2017 sic është paraparë, mirëpo vetëm njëri prej tyre (fuqizimi i procedurave dhe kapaciteteve të AKK) është plotësuar plotësisht në vitin 2018.
Ndërsa për gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, GLPS ka monitoruar në tërësi Shtyllën e dytë të ERA-së – konkurrueshmërinë dhe klimën e investimeve. Kjo shtyllë përbëhet nga 12 masa të zbërthyera në 44 veprime. Rezultatet e monitorimit tregojnë që 38.64 % e veprimeve janë plotësuar, 11.36 % janë plotësuar pjesërisht, 13.63 % nuk janë plotësuar, dhe 36.36 përqind të tyre janë në zhvillim e sipër të cilat duhet të plotësohen në gjashtë mujorin e dytë të vitit.
Disa nga masat të cilat nuk janeë plotësuar përfshijnë ristrukturimin e Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve, zhvillimin e kapaciteve të saj, si dhe themelimin e bordit këshillues, funksionalizimin e Komisionit për Ndihmën Shtetërore; dhe krijimin e fondeve për eficiencë të energjisë. Si përfundim, institucionet kyçe duhet të përkushtohen më tepër në plotësimin e të gjitha masave dhe veprimeve të parapara në ERA dhe PKZMSA në përputhje me afatet specifike, në mënyrë që të përshpejtojnë reformant në fushën e konkurrencës.