Trembëdhjetë vite nga vdekja e Nekibe Kelmendit, ministres së parë të Drejtësisë në Kosovën e pasluftës

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Më 19 qershor të vitit 2011, u nda nga jeta ministrja e parë e Drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Nekibe Kelmendi.

Gjyqtarja dhe avokatja, ishte bashkëthemeluese e Lidhjes Demokratike të Kosovës, krah ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.


Jeta dhe vepra e Nekibe Kelmendit, nga bashkëpunëtorët dhe bashkëpartiakët, është cilësuar si një dëshmi e mahnitshme e qëndresës njerëzore përballë së keqes.

Nekibe Kelmendi – që njihej edhe si Zonja e Hekurtë e LDK-së – njohu suksesin në rrafshin profesional, kulmi i së cilit ishte denoncimi që ajo dhe bashkëshorti i saj, avokati i njohur Bajram Kelmendi i bënë gjenocidit serb në Kosovë, duke hartuar akuzën kundër Serbisë e Milosheviqit në Hagë.

Ky akt i lartë profesional dhe kombëtar, atyre u kushtojë shumë, kur Beogradi zyrtar rrëmbeu nga shtëpia e tyre, Bajramin dhe dy bijtë, Kushtrimin e Kastriotin, të cilët u ekzekutuan në mars të vitit 1999.

Ajo ishte nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe deputete nga radhët e këtij subjekti politik. Ajo njihej edhe si zonja e hekurt e LDK-së.

Nekibe Kelmendi ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

Kishte marrë poashtu edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës, si dhe ishte mdër ekspertët për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pas luftës në Kosovë, Kelmendi, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor të vitit 2001, ka qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Nekibe Kelmendi kishte mbaruar Fakultetin Juridik në Prishtinë, më 1968, ku më pas ushtroi detyrën e gjyqtares.

Nga viti 1974 deri në vitin 1976, Kelmendi kishte ushtruar profesionin e avokates, ku u bë edhe avokatja e parë shqiptare në Kosovë dhe kishte punuar edhe si gjyqtare deri në vitin 1987.

Ajo sërish iu rikthye profesionit të avokates, të cilin e ushtroi deri në vdekje.

Nekibe Kelmendi lindi më 11 maj 1944 në Pejë dhe vdiq në moshën 67 vjeçare, në Prishtinë.

Të ngjashme