Trendi i veturave elektrike dhe tregu lokal

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 14:49 | Nga Arsim Ajeti

Në mes te krizës dhe ndryshimeve globale, industria automobilistike, ka pësuar ndër goditjet më të rënda, pas avio-industrisë (apo turizmit global), kjo industri jo vetëm që u përball me rënie në shitje dhe prodhim, për shkak të pandemisë, por pësoi goditje edhe për shkak se konsumatorët ndryshuan preferencat e tyre,  çdo ditë e më tepër vërehet se ka më shumë preferenca për vetura elektrike ose hibride, se për veturat me naftë apo benzinë

Faktor shtytës, i këtij zhvillimi në nivelin global qe një kohë, është prodhuesi i veturave elektrike  TESLA, përderisa sipas ekspertit te tregut  Dan Ives,  askush s’mund të kontestojë se në të ardhmen e afërt veturat elektrike do të marrin pjesë të konsiderueshme të tregut të veturave

Bazuar në zhvillimet që kanë ndodhur ketë vit në tregjet globale, ku tema më e ‘nxehtë’ dhe fjala kryesore mes investitorëve ishte Tesla – si inovacion në industrinë e veturave elektrike dhe teknologjisë,  e cila vetëm gjatë vitit 2020 aksionet e së cilës, kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme, mbi  557%  sipas revistës prestigjioze  bloomberg, duke  tejkaluar të gjithë prodhuesit tjerë.

Sa i përket prodhuesve të veturave konvencionale, që për dekada kanë dominuar tregun global, sipas Institutit Europian  të prodhimit te automjeteve. kanë pësuar rënie drastike në kërkesë, sidomos për veturat me naftë.

Në anën tjetër, tek ne në  Kosovë, ende nuk kemi kërkesa për vetura elektrike, apo kemi fare pak, dhe për më tepër blerja e veturave në përgjithësi, e sidomos atyre të reja, ka shënuar rënie të theksuar.

Sipas të dhënave të  Dogana e Kosovës statistikat na tregojnë se gjatë vitit 2019, janë importuar 3,518 veturat të reja, ndërsa në vitin 2020 vetëm 2,737  një rënie prej 27%

Për të hulumtuar çështjen më në thellësi, vizitova disa Auto sallone lokale, të autorizuara nga prodhuesit përkatës të veturave. Pata rastin të bisedoj me thellësisht me menaxherin e shitjes, Besnikun, tek  Auto-Kaqandolli  i cili më tregoi se çfarë ndikimi kishte kriza dhe ndryshimet që solli C-19

Në mes tjerash, ai potencoi se në fillim të pandemisë konsumatori kishte ndryshuar interesimin për mjete të transportit, kishte preferencë më shumë për skuterë dhe motoçikleta, sidomos për modelin ‘Off-road’, e më pak për vetura. Shitjet e veturave me buxhet ‘familjare’,  si për shembull Suzuki  kishin shënuar rënie deri në 30% ..krahasuar me vitin paraprak, përderisa shitjet e veturave luksoze si Mercedes  nuk kishin pësuar ndonjë ndryshim,  në krahasimin identik!

Të njëjtën gjë e pohuan edhe në Auto Reforma, që është distributor i veturave Audi.

Përderisa, tek Auto Mercom distributor i veturave  Peugeot sipas menaxheres për shitje Znj. Vjosa, jo vetëm qe kanë  shtuar distribuimin e veturave te mirënjohura japoneze  Mitsubishi por tanimë, kanë pranuar porosinë  e parë, për vetura  elektrike, që pritet të realizohet në vitin 2021!

Megjithatë,  edhe tek ne vërehet një tendencë drejt ndryshimit, pasi që, në të gjitha auto-sallonet që i vizitova, shumica e veturave që ishin në dispozicion për shitje ishin hibride/benzinë, që do të thotë se tregu i veturave në Kosovë, me gjithë vështirësitë që i ka, ka filluar të ofrojë llojllojshmëri të veturave, e krahas kësaj, viteve të fundit, edhe tek konsumatori është vërejtur preferencë e shtuar për to.

Por, ndryshimi i preferencës është vetëm një hap i vogël,  drejt një të ardhme me vetura ekologjike, që shkaktojnë më pak ndotje, pasi që jemi një treg i vogël, me kapacitete të limituara, me fare pak kërkesa për vetura elektrike, imponuar nga gjendja aktuale ekonomike dhe jo vetëm.

Marr parasysh të gjithë faktorët e lartë cekur, trendi i rënies së shitjeve do vazhdojë, së paku për aq kohë sa virusi të jetë në mesin tonë!

Konkluzion

Viti 2020 përveç tjerash,  do të mbahet në mend si viti i ‘Veturave Elektrike’ sipas të dhënave nga Statista del se, vetëm deri në Shtator kemi shitje të mbi 2.3 milion veturave Elektrike, kurse tregu më i madh aktualisht është Kina, kurse në Evrope dominon Norvegjia 

Përderisa, veturave me naftë ngadalë po iu vjen fundi, industria e veturave po ecën drejt një ri-balancimi te ri, kryesisht i nxitur nga pasojat që lë pas ndotja globale, e cila ka arritur nivele alarmuese, dhe nga ndryshimet që solli pandemia, këto imponuan domosdoshmërinë për veprime konkrete që sollën ndryshime “tektonike” në auto-industri dhe jo vetëm.

Tanimë, shumë shtete e kanë rregulluar me ligj, që prodhimi i veturave me naftë dhe benzinë do të ndalohet plotësisht, e fundit është Britania e Madhe e cila e aprovoj ketë rezolute, qe hyn në fuqi me 2030, dhe vetëm veturat hibride dhe elektrike do të jenë në dispozicion për konsumatorët!

Prandaj, autoriteti shtetëror duhet të luajë rol aktiv në këtë drejtim, që nga ngritja e vetëdijes e gjer tek  inkurajim i konsumatorëve duke u mundësuar kredi afatgjatë, për blerje të veturave të reja hibride dhe elektrike duke bashkëpunuar me Auto sallonet e autorizuar, njëkohësisht duke mundësuar mjedis të frytshëm ciklik “konsumator-veturë-mbrojtje e ambientit” në mënyrë që ne, si shoqëri, të jemi në hap me kohën dhe zhvillimet globale..në realitetin e ri post-pandemik.

Të ngjashme