Sulmuesi kosovar do të jetë titullar sonte ndaj Torinos, e ka mundësinë jetësore për ta shpëtuar veten
Vedat Muriqi do ta ketë sonte rastin e fundit për ta treguar veten në Lazio.
Sulmuesi kosovar deri tash ka dëshpëruar me paraqitjet e tij në kryeqytetin italian.
27 vjeçari i ka realizuar vetëm dy gola, një në kampionat dhe një në kupë dhe e ka bërë një asistim në një sezon dështues për të, shkruan Gazeta Express.
Përfaqësuesi kosovar i ka zhvilluar 32 ndeshje, 25 prej tyre në Serie A dhe të tjerat në Champions League dhe në Kupën e Italisë.
Ai kryesisht ishte rezervist dhe e kishte një total prej 1002 minutash lojë, por s’ka arritur të lërë gjurmë.
Dhe, trajneri Simone Inzaghi do t’ia japë edhe sonte rastin atij nga minuta e parë, duke i pasur parasysh mungesat e Caicedos dhe Correas.
Dhe, nëse nuk e tregon veten as në ndeshje me “Granatan”, ku luajnë Mërgim Vojvoda e Samir Ujkani, largimi i prizrenasit nga “Biancocelesti” do të jetë thuajse i sigurt gjatë verës.
Edhe pse ka kontratë me lazialët deri në vitin 2025, sulmuesi shtatlartë mund të huazohet ose edhe shitet përfundimisht në verë.
Muriqi u përball me probleme të natyrave të ndryshme që kur iu bashkua Lazios verën e kaluar.
Ai pati probleme me lëndime, me koronavirusin dhe me ambientimin.
Lazio e kishte blerë Muriqin për afro 20 milionë euro.
Interesim për ish-futbollistin e Rizesporit kanë shfaqur ish-klubi i tij, Fenerbahçe, por edhe Besiktasi.