Trepça ’89 është rikthyer te fitoret në Superligë, pasi ka triumfuar në udhëtim te Besa e Pejës me rezultat 1-2.
‘Minatorët’ në këtë takim erdhën pas humbjes nga Prishtina dhe ishin në kërkim të pikëve.
Për të parë golin e parë në këtë sfidë u desh të pritej minuta e 28-të kur Robert Rrahmani gjuajti bukur me të majtën dhe realizoi për 0-1.
Me epërsinë minimale të mysafirëve përfunduan edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pejanët barazuan rezultatin në minutën e 57-të, pasi Diar Halili realizoi gol të bukur me kokë për 1-1.
Por gëzimi i vendasve zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi kapiteni i mysafirëve, Muharrem Jashari realizio një gol të bukur nga distanca për rezultatin përfundimtar 1-2.
Me këtë fitore të arritur, 89-shi ngritët në pozitën e pestë në tabelë me 31 pikë të grumbulluara, derisa Besa mbetet e fundit me vetëm shtatë pikë.
Ndeshjen e radhës Trepça ’89 e luan në shtëpi përballë Feronikelit, derisa Besa përballet me Prishtinën në kryeqytet.