Trepça i ka dhënë fund serisë negative në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas pesë humbjeve rresht, “xehetarët” kanë shënuar fitoren e parë të dielën. Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça fitoi ndaj Ponte Prizrenit me rezultatin bindës, 90:70.
Me këtë fitore Trepça, që vlerësohet prej skuadrave më të mëdha në vend, i ka ikur vendit të fundit. Është e parafundit (7), por me pikë të njëjta me Lipjanin e fundit, nga shtatë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ponte Prizreni, që debuton në Superligë, ka nëntë pikë dhe mban vendin e katërt. Bilanci i Pontes është tri fitore e tri humbje.
Trepça është shkëputur në çerekun e parë, të cilin e fitoi me shifrat 26:14 dhe ka mbajtur epërsi konstante deri në fund. Edhe çerekun e fundit e fitoi me shifrat 27:18 për fitoren e parë të edicionit.
Amerikani Mark Dorris ishte i pandalshëm në ndeshjen e së dieles të luajtur para afro 500 shikuesve. Ai realizoi 21 pikë, ndërsa pati edhe 15 kërcime e plot 13 asistime. Pra realizoi “triple-double”.