Deputeti i Partisë Demokratike të KosovësFerat Shala vazhdon të ngris zërin karshi situatës në “Trepçë”. Deputeti i PDK-së ka thënë se kjo ndërmarrje është në borxhe dhe krizë të thellë.
Shala ndjehet i befasuar me qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë, KPMM-së dhe menaxhmentit aktual për indiferencën e treguar ndaj kësaj situate.
“Të dhënat e prezantuara nga KPMM-ja në raportin vjetor për vitin 2023, për borxhet e ndërmarrjes “Trepça” sh.a, paraqesin borxhin prej 24,882,559,83€ apo 62.52% të totalit të borxheve që kanë debitorët ndaj KPMM-së; KPMM-në në raportin vjetor 2023 ka prezantuar borxhet e “Trepca”sh.a duke mos i ndarë borxhet e mëparshme nga koha e administrimit nga UNMIK-u si edhe nga koha e administrimit nga AKP-ja, duke vepruar kështu në kundërshtim me Ligjin për “Trepcën” Nr. 05/L -120.
Ligji për “Trepçën”, neni 5 paragrafi 3 përcakton që të gjitha asetete “Trepçës”, duke përfshirë Minierat me Flotacion – Stantërg, Minierat me Flotacion – Artanë, Minierat me Flotacion – Kopaonik – Leposaviq, kanë kaluar te ndërmarrja shoqërore “Trepça” sh.a. Ligji për “Trepçën”, neni 7 përcakton se Ministria e Ekonomisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike për regjistrimin e “Trepça” Sh.A. në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ligji ka përcaktuar se “Trepca” sh.a. regjistrohet si biznes i ri, entitet i ndarë si në aspektin juridik ashtu edhe ekonomik nga “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP” e cila ka pasur numër biznesi 70331094 (e regjistruar në regjistrat gjyqësorë me emërtimin: Kombinati Xehetaro-Metalurgjik Kimik Trepça). Në pajtim me nenin 7 Qeveria e Republikës së Kosovës ka regjistruar në ARBK (Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës) si biznes të ri unik identifikues 811278747 me dt. 08.03.2019.
Ligji për Minierat dhe Mineralet në nenin 6 paragrafi 1.3.7. parasheh se personi që paraqet kërkesë për licencim ka të drejtë të marr Licencë/Leje nëse; nuk është neglizhent në pagimin ose dorëzimin e tatimeve, detyrimeve, kontributeve, pagesave ose tarifave që duhet ti paguhen një autoriteti publik ose ndërmarrje publike”, ka shkruar Shala.
“Ligji për Minierat dhe Mineralet ndalon licencimin e ndërmarrjeve që kanë borxhe të papaguara, mirëpo kjo nuk nënkupton që “Trepça” sh.a duhet të paguaj borxhet e ndërmarrjes “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP” me numër biznesi 70331094, sepse Ligji për Trepçën ka krijuar një ndërmarrje të re shoqërore të ndarë dhe të pavarur si në aspektin juridik ashtu edhe biznesor. KPMM duhet ta trajtoj “Trepca” sh.a në pajtim me Ligjin për Trepçën dhe të kërkoj inkasimin e rentës minerare vetëm për periudhën kohore pas licencimit si “Trepça” sh.a me nr. unik të biznesit 811278747 dhe atë pas datës 08.03.2019, të gjitha obligimet tjera të krijuara para kësaj date nuk janë obligime të “Trepca” sh.a, por mbesin obligime të biznesit “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP” me nr. biznesi 70331094.
Qëllimi i Ligjit për Trepçën përkrahës dhe kontribuues në hartimin e të cilit kam qenë edhe unë dhe Partia Demokratike e Kosovës ka qenë për krijimin e infrastrukturës ligjore, zhvillim e qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik, kjo reflektohet edhe në nenin 1 të këtij ligji. Andaj KPMM dhe Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta trajtoj “Trepçën” sh.a në pajtim me legjislacionin në fuqi, duke zbatuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Ligji për Minierat dhe Mineralet, Ligji për Sigurinë në Punë në Veprimtari Minerare si dhe Ligji për Trepçën, mirëpo jo duke vendosur kushte apo obligime për pagesa të obligimeve financiare që nuk kanë mbështetje ligjore.
Si ka mundësi, që me kaq indiferencë dhe padije të sillet Ministria e Ekonomisë, KPMM dhe menaxhmenti aktual i ‘Trepçës’”, shkruan Ferat Shala në reagim.