Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, ka thënë se çështja e “Trepçës” assesi s’do të duhet të jetë pjesë e tavolinës së diskutimeve në Bruksel. Sipas saj, për këtë gjë duhet të bëhet unifikimi i spektrit politik në vend dhe të punohet për draftstatutin zhvillimor të kësaj ndërmarrje
Berisha-Shala, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet sa më parë të jetë e mundur që, sipas saj, opozita duhet ta kalojë vetveten dhe për çështje madhore siç është “Trepça” ta bëjë kuorumin dhe bashkërisht të punojnë drejt zhvillimit të kësaj ndërmarrje.
“Bordi i ‘Trepçës’ është peng i draftstatutit dhe disa kërkesave të sindikalistëve dhe s’mund të kërkojmë diçka nga ta kur ende s’kanë pasur mundësi t’ia fillojnë punës”, ka thënë Berisha Shala, duke aluduar kështu në neglizhencën që po bëhet në kalimin e draft-statutit nga partitë opozitare.
“Mungesa e kuorumit automatikisht na ka bllokuar, edhe pse do të duhej të ishte e kundërta që për çështje të rëndësishme ekonomike dhe sociale do të duhej t’i tejkalonim ngjyrimet politike. Mirëpo, zgjedhjet e fundit e kanë krijuar një situatë që as opozita nuk i ka numrat për ta shkarkuar qeverinë dhe e as pozita për t’i çuara përpara proceset. Në rastin e ‘Trepçës’ është dashur ta tejkalojmë vetveten të gjithë dhe ta lëmë lakminë për pushtet, pra të bëhemi bashkë në miratimin e statutit të kësaj ndërmarrje”, është shprehur ajo.