Ndërmarrja “Trepça” e ka larguar nga puna pas 11 viteve angazhim punëtoren, Valdete Shabani.
Largimi i saj nga puna në këtë ndërmarrje është bërë nën arsyetimin se “shkeli rëndë detyrat e punës”.
Në një vendim të marrë me 6 janar të këtij viti, pra tri ditë më parë- ndërmarrja sqaroi se Valdete Shabanit i shqiptohet masa disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës”, si pasojë e një suspendimi të mëparshëm me të njëjtin arsyetim”.
Në vendimin e siguruar nga lajmi.net thuhet po ashtu se sipas ndërmarrjes ky vendim erdhi pasi Komisioni Disiplinor dhe anëtarët Sali Latifi dhe Mustaf Asllani vlerësuan se Shabani shkeli detyrat e punës, duke ofenduar zyrtarët e lartë të menaxhmentit të ndërmarrjes ““Këta janë si Millosheviqi” në një paraqitje televizive në një nga mediat në Kosovë”.
“Gjithashtu znj.Shabani ka bërë deklarime të pavërteta lidhur me kushtet e punës dhe gjendjen në njësinë biznesore, duke pretenduar se njësia është shkatërruar pas ardhjes së menaxhmentit të ri, pretendim i cili bie ndesh me raportet zyrtare, të cilat dëshmojnë progres”,thuhet ndër të tjerash.
Po ashtu thuhet se Shabani i ka tejkaluar të gjitha autorizimet e saj vazhdimisht ka “fyer dhe shpifur ndaj menaxhmentit të lartë”.
Aty ceket edhe se punonjësja s’ka pasur të drejtë të komunikojë me media dhe se këtë mund ta bëjnë vetëm përmes personave të autorizuar të Trepça Sh.A.
Madje në arsyetim thuhet se ajo kishte bërë deklarata të pavërteta lidhur me kushtet e punës dhe gjendjen në njësinë biznesore, duke pretenduar se është shkatërruar pas ardhjes së menaxhmentit të ri.
Krejt këto, sipas ndërmarrjes, janë shkelje, meqë punonjësja nuk ka pasur të drejtë të komunikojë me media, pasi kjo gjë u ndalohet me Kod të Sjelljes dhe Etikës së Ndërmarrjes “Trepça”.
E pas këtij vendimi ka reaguar edhe vetë punonjësja Valdete Shabani. Ajo tha se asnjë nga pretendimet e ndërmarrjes nuk janë të vërteta dhe se nuk do të hesht pas këtij vendimi, por do t’i ndjekë rrugët ligjore për të luftuar të drejtën e saj.

Shabani ishte suspenduar nga puna më 24 nëntor të vitit 2025, nën arsyetimet e njëjta me këto prej të cilave tani u largua nga puna.
E në mënyrë ligjore, Shabani këto pretendime të ndërmarrjes i pati ankimuar në Komision Disiplinor, përmes palës përfaqësuese të saj- avokatit.

Më 2 dhjetor, Shabani kishte dorëzuar një ankesë në “Trepça”, për “vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar dhe jo të drejtë të së drejtës materiale”.
Dhe pretendimet se në këtë intervistë, vazhdon Valdetja, “kinse paskam thënë se ‘këta janë si Millosheviqi’, nuk qëndrojnë dhe absolutisht nuk janë të vërteta”. Duke shtuar se vendimi për suspendim nga menaxhmenti nuk përmban prova konkrete për vërtetimin e fakteve vendimtare siç pretendon “Trepça”.
Për më tepër, në vendimin për suspendim, sipas Valdetes, ndërmarrja ka referencë të gabuar të rregulloreve të cituara për shkelje.
“Nënparagrafi 1.5 nuk ka të bëjë fare me pretendimet si në vendim. Nëse i bëhet dispozitës interpretim ekstensiv dhe telelogjik, nënkuptojmë se kjo dispozitë sanksionon situatën kur punonjësi gatë kryerjes së detyrave zyrtare ose në lidhje me detyrën zyrtare, i njëjti me qëllim keqpërdor pozitën ose tejkalon autorizimet e dhëna”.
Pra, “ani pse pretendimet e punëdhënësit në kuptim të gjendjes faktike janë të pavërteta, edhe sikur të qëndronin këto pretendime, gjendja faktike nuk do t’i përgjigjej kësaj dispozite”, thuhet në arsyetim të ankesës së Valdete Shabanit kundër vendimit të ndërmarrjes “Trepça” për suspendim të saj nga vendi i punës në ndërmarrje.
Në këtë ankesë kërkohet anulimi i vendimit të 24 nëntorit për suspendim dhe t’i kompensohet në mënyrë retroaktive diferenca e pagës nga data e suspendimit deri në kohën kur rikthehet në punë.
Valdete Shabani ka punuar në Trepçë prej 11 vitesh, nga vitit 2015 ajo ushtroi detyrën e Shefes së Shërbimit Logjistik dhe Administrativ në Flotacionin e Stantërgut. Në gusht të vitit 2024 situata kishte ndryshuar kur Kryeshefi i ri Faton Ahmeti mori vendim që t’u ndryshojë vendet e punës rreth 60 punëtorëve, nën arsyetimin se “ndryshimet do të rrisin prodhimin”. Brenda një viti e tre muaj, numri i transferimeve ka kaluar shifrën 100.
Në këtë grup të parë ishte edhe Shabani, më 3 shtator 2024 ajo u transferua në Metarulgjinë e Zinkut, pozitë që s’kishte ekzistuar më parë, zyrtare e logjistikës.
Ajo e ankimoi menjëherë vendimin, duke theksuar edhe arsyet shëndetësore. Më 17 shtator Komisioni i Ankesave e refuzoi kërkesën si të “pabazuar”. Pas intervenimit kirurgjik në Gjermani, ajo kategorizohet si person me nevoja të veçanta dhe nga ajo kohë është edhe pjesë e Hendikosit në qytetin e Mitrovicës Jugore.
Një muaj nga transferi i parë, Valdetes i erdhi vendimi për transferin e dytë.
Me arsyetimin e nevojës për ristrukturim dhe organizim të punëtorëve të Ndërmarrjes “Trepça”, më 14 tetor, kryeshefi Ahmeti merr vendim për transfer të Valdete Shabanit në Njësinë Biznesore Miniera me Flotacion në Kishnicë dhe Artanë, si Udhëheqëse e Depos Doracake.
Edhe këtë vendim, Valdetja e ankimoi në Komisionin e Ankesave, por përgjigja ishte e njëjtë si herën e parë – refuzohet si e pa bazë. Të dy vendimet e menaxhmentit për transferet e saj, Valdetja i ka dërguar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, përmes një padie.
Kjo gjykatë, në aktgjykimin e datës 13 janar të vitit të kaluar, kishte vendosur që ta aprovojë në tërësi padinë e Valdete Shabanit e cila ka kërkuar që të anulohen dy vendimet e “Trepçës” për ta transferuar në vende të tjera të punës dhe ta rikthejnë në vendin e punës të cilin e zotëronte para këtyre vendimeve. Gjykata ka kërkuar që këto vendime të anulohen dhe ka obliguar Ndërmarrjen që Valdeten ta rikthejë në vendin e punës si Shefe e Shërbimit Logjistik dhe Administrativ, 7 ditë pas pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të obligueshëm.
Por ndërmarrja e ankimoi vendimin, dhe rasti prej 9 muajsh është në Gjykatën e Apelit, ende pa vendim përfundimtar.
Në ndërkohë, pavarësisht procesit gjyqësor në vazhdim, menaxhmenti ka marrë sërish vendim për transferimin e saj në të njëjtin vend që më herët gjykata e kishte kontestuar.
Përveç sfidave ligjore, në mars 2025, Valdete Shabani pësoi një lëndim në vendin e punës në Kishnicë.
E pas ankesave të shumta që Shabani kishte drejtuar në institucionet përkatëse, Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Financave kishte marre vendim për shqiptimin e masës ndëshkimore ndaj “Trepça Sh.A”.
Ndër të tjerash thuhej se “për cenimin e dispozitës, në rastet kur ka ndodhur aksidenti me pasojë lëndimin apo vdekjen e të punësuarit, punëdhënësi është i detyruar ta lajmërojë menjëherë inspektoratin e punës”- Në bazë të ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në punë, i shqiptohet gjoba prej 800 euro”.
Po ashtu thuhet se paga e saj mbetet e pandryshuar e se ky vendim hyn në fuqi më 3 nëntor 2025.
Kësisoj në vendim u tha se Trepça Sh.A ishte përgjegjës për këtë parregullsi, por disa muaj më vonë kjo ndërmarrje e largoi krejtësisht nga puna Valdete Shabanin pas 11 viteve.


Ndryshe pikërisht sot Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ashpër ndaj, siç e ka quajtur, largimit të vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga puna, duke akuzuar menaxhmentin e ndërmarrjes për përndjekje selektive dhe presion ndaj punëtorëve që kanë bindje ndryshe.
Sindikata shpreh shqetësim të thellë për veprimet e fundit disiplinore, duke theksuar se ato po zhvillohen në mënyrë të njëanshme dhe nën ndikime direkte, pa u bazuar në ligj, fakte apo rregullore të brendshme.