Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion i Superligës së basketbollit kosovar do të përfundojë sonte në Mitrovicë.
Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare, ku skuadra që fiton do të shpallet kampione e Kosovës.
Seria finale është 2:2, që ishte shumë interesante, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm.
‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
Mitrovicasit e duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.
‘Xehetarët’ e synojnë trofeun e katërt këtë edicion, pasi e kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike.
Trepça në gjysmëfinale e eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli në çerekfinale e mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.
Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e 3 humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën, që ishte e dyta me 19 fitore e 9 humbje.
Në garat e rregullta të elitës, të dy skuadrat i kishin nga dy fitore ndaj njëra-tjetrës, derisa mitrovicasit triumfuan edhe në Ligën Unike ndaj therandasve dhe në gjysmëfinale të Kupës.
Ndeshja do të zhvillohet sonte në Mitrovicë duke filluar nga ora 19:00.