Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dje ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor ku pas procesit të votimit, kryetar u zgjodh Lumir Abdixhiku.
Menjëherë pas marrjes së detyrës së tij si kryetar i LDK-së, Abdixhiku mori tri veprime.
Fillimisht ai tha para mediave se sot nuk do të mund të shkoj në takimin e ftuar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe u.d e Presidentes, Vjosa Osmani për të biseduar për konstituimin e institucioneve.
Abdixhiku u shpreh se e ka të pamundur pjesëmarrjen në këtë takim, dhe propozoj që i njëjti të mbahet të premten, shkruan Telegrafi.
“Gjëja e parë që do të bëjë nesër është dalë në zyrat e LDK-së, por e kam të pamundur që për shkak të konsolidimit të organeve tona të partisë që të marr pjesë në takimin e nesërm. Propozoj të premten si datë të takimit eventual në formatin e njëjtë siç është propozuar”, tha Abdixhiku.
Vendimi tjetër që mori kryetari i ri i LDK-së, ishte shpallja e Isa Mustafës si kryetar nderi. Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga LDK-ja.
“Me propozim të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Akademik Isa Mustafa shpallet kryetar nderi”, thuhet në njoftim.
Pas këtyre dy vendimeve, Kuvendi i LDK-së autorizoi kryetarin që të plotësoj edhe me 10 vende të tjera anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm si pjesë e hapjes së partisë.
Nga lista e publikuar nga LDK, Këshilli i Përgjithshëm do të ketë 131 anëtarë, përfshirë këtu kryetarët e degëve dhe deputetët e zgjedhur.
Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.
Në garë për këtë post ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Haziri ka marrë 117 vota, kurse Mustafa vetëm 16.
Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka falënderuar të gjithë për përkrahjen që i kanë dhënë për tu bërë lider i LDK-së.